Militantët e Hamasit lëshuan dhjetëra raketa të tjera drejt Izraelit pasi sulmet e këtij të fundit vranë disa komandantë të lartë dhe rrëzuan një tjetër bllok kullash në Gaza.
Përshkallëzimi i situatës që nisi të hënën, ka ndezur dhunë nëpër rrugë në Izrael, mes hebrenjve dhe arabëve.
Në dy incidente, një hebre në Acre u sulmua nga arabët dhe një bandë hebreje nxori një palestinez nga makina dhe e rrahu, në Bat Yam.
Të paktën 67 persona në Gaza dhe shtatë persona në Izrael kanë mbetur të vrarë. Luftimet shpërthyen të hënën pas javëve tensione në rritje mes izraelitëve dhe palestinezëve në Jeruzalemin lindor, që arritën kulmin me përleshje në një vend të shenjtë të adhuruar nga myslimanët dhe hebrenjtë po ashtu. Më shumë se 347 persona u arrestuan dhe 36 oficerë policie u lënduan pas përleshjeve në qytetet izraelite, raportoi policia. Kryeministri Benjamin Netanyahu, duke folur mbrëmjen e të mërkurës, tha se ai planifikonte të dërgonte forca ushtarake për të ndihmuar në ruajtjen e rendit në qytetet e mbërthyera nga dhuna.
“Sulmet e ditëve të fundit janë një anarki. Asgjë nuk mund të justifikojë bandat arabe që sulmojnë hebrenjtë, asnjë nuk mund të justifikojë edhe bandat hebreje që sulmojnë arabët”.
Militantët palestinezë kanë hedhur raketa në Izrael që nga mbrëmja e të hënës dhe Izraeli është përgjigjur duke goditur shënjestra në territor. Mëngjesin e të enjtes, ushtria izraelite tha se rreth 1500 raketa ishin lëshuar nga Gaza në qytetet izraelite që kur përleshjet përshkallëzuan në fillim të kësaj jave. Sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, në Gaza, më shumë se 400 persona janë lënduar që kur konflikti nisi dhe 67 të tjerë kanë humbur jetën.
Top Channel