30 vite më parë, historinë e Shqipërisë do ta shenjonte edhe krijimi i një gazete të lirë dhe të pavarur.

Bëhet fjalë për Koha Jonë, e cila do të luante rolin e një opozite të mirëfillitë dhe të vërtetë politike, por jo partiake. Në atë kohë, represioni qeveritar i Partisë Demokratike mes viteve 1992-1997 do të ulte kokën e opozitës së atëhershme dhe mediave të tjera të pakta që operonin në vend.
Por jo të Koha Jonë, e cila lindi si një produkt i asaj dhune politike dhe se ishte përbetuar ta luftonte pushtetin dhëmbë për dhëmbë si gazeta më e madhe në vend asokohe.

Prandaj historia e Shqipërisë e pothuajse një dekade, nuk mund të kuptohet pa gazetën “Koha Jonë”.
Konteksti politik atë kohë ishte i tillë; po vinte fundi i vitit 1990. U shfaq Lëvizja studentore e Dhjetorit dhe u krijua Partia Demokratike.
Partia e Punës vijoi të qeverisë vendin edhe për një vit tjetër sepse Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e më pas kjo e fundit erdhi në pushtet më 1992.

Njerëzit të dalë nga zinxhirët 50 vjeçar, të ndryshkur të komunizmit, ishin të etur për të mësuar, lexuar, përthithur gjithë ç’gjenin.
Komiteti i Partisë në çdo rreth do të vendoste të ndalonte gazetat lokale të cilat financoheshin deri në atë kohë nga Partia e Punës. Edhe gazetën
“Koha Jonë” e cila ishte asokohe gazetë lokale e Lezhës.
Në atë periudhë del në skenë një riosh i sapodiplomuar në degën e fizikës në Universitetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, i cili për hir të pasionit të të shkruarit vitet e fundit të studimeve bashkëpunonte me shtypin e asaj kohe e mandej pas diplomimit e caktojnë të punojë për rreth dy vjetë në

gazetën e rrethit të Lezhës, “Koha Jonë” që ishte hapur në vitin 1988.
Ky do të ishte Nikoll Lesi.

“Me disa kolegë gazetarë mendova që ta ngremë gazetën si të pavarur. Fjala e pavarur ishte fjalë e madhe atëherë se më 1991 nuk kishte shkollë gazetarie, nuk kishte ndonjë kulturë perëndimore se çfarë është gazetaria indipendente”u shpreh Nikoll Lesi, Botues “Koha Jonë”
Në atë kohë në treg kishin dalë gazetat: Rilindja Demokratike si gazetë opozitare pranë Partisë Demokratike, gazeta Republika, gazeta PSD, Zëri i Popullit. Por të gjitha ishin gazeta partiake që transmetonin zërin e partisë pranë të cilës ishin themeluar.
“Në vitin 1991 gazeta “Koha Jonë” ishte një vajzë fshatare që vinte nga zonat periferike” u shpreh, Frrok Çupi, Gazetar “Koha Jonë” 1993-1997
Gazeta “Koha Jonë” kishte dy rrugë; ose të mbyllej, ose të vazhdonte me një frymë tjetër sepse konteksti politik, shoqëror e ekonomik në vend kishte ndryshuar.

“U mblodhëm e thamë ta nxjerrim një herë në javë. Kisha marrë një gazetar sportiv dhe që e bëra bashkëpronar Zef Shtjefni, pronar term i pakonceptueshëm asokohe. E quajtëm gazetë të rrethit të Lezhës. Më vjen çudi si e menduam. Thamë meqënëse RD dhe Zëri i Popullit janë dy gazeta partiake të skajshme të kundërta dhe ne të botojmë mendimet e të dy palëve; të Partisë Punës dhe të PD të opozitës së kohës. U bë atraktive, e kërkueshme. Ishte vetëm 500 kopje dhe dilte një herë në javë.” u shpreh Nikoll Lesi, Botues “Koha Jonë”
Nuk kishin leje për ta botuar gazetën, nuk ekzistonte asnjë ligj për shtypin privat në një vend të sapodalë nga sistemi komunist.
“ Bëmë thirrje të gjithëve kush do të vijë me ne, ishim gati 25 veta. Të gjithë vinin, por na duheshin lekët për të botuar. Lekë nuk kishte asnjë. U hodh

Nikolla dhe tha do ta mbajmë unë e ti Zef. Unë isha bërë bashkëpunëtor që më përpara dhe shkonim mirë me Nikollën. Ishte çështje shpirtërore. Si do ta bëjmë unë e ti i thashë, ku i kemi lekët? Do shkojmë në farefis, do lypim e do të bëjmë nga 17 mijë lekë . Ashtu bëmë. Mua më ndihmoi gjyshja, kishte ruajtur pak lekë gjyshja. Nikolla se ku i gjeti edhe hipëm në saurrel dhe u nisëm për në Tiranë në shtypshkronjë.” u shpreh Zef Shtjefni, Bashkëthemelues “Koha Jonë” 1991

E vështirë shumë ishte që ti ndryshohej imazhi gazetës; nga një gazetë shtetërore lokale që kumtonte arritjet e partisë shtet, në një gazetë që thoshte të vërtetën ashtu siç e shihnin gazetarët e saj.

“Në faqet e para futëm leksion në italisht. Nuk kishte atëherë asnjë fletore, asnjë libër, nuk ekzistontë në libraritë tona. Njerëzit ishin të etur se po shikonin që po vinte stuhia dhe donin që të dinin gjuhë të huaja. Në atë kohë unë për fat dija gjuhën italiane, kisha nisur të jepja mësime private. Ajo që më ka befasuar më shumë, ne kishim plazhin në Shëngjin, por nuk kishim parë asnjëherë një femër me kostum banjoje në revista e gazeta. Kur futëm në faqe të parë femrat shqiptare me kostum banjoje ishte një bum i paparë. U shit gazeta menjëherë. Kishte këto risi që sot duken budallalliqe.” u shpreh Zef Shtjefni, Bashkëthemelues “Koha Jonë” 1991

Madje “Koha Jonë” solli për herë të parë konceptin e reklamës në faqet e saj dhe Nikoll Lesi ndau aksionet e gazetës. Po ashtu ai krijoi edhe agjencinë e parë të transportit të shtypit.

“Se ne kështu e filluam. Unë e Nikolla 50me 50. Me fjalë. Pastaj në një letër fletoreje shkruam marrëveshje, statusin e gazetës. Nuk e regjistruam në gjykatë, por e kishim marrëveshje mes nesh.” u shpreh Zef Shtjefni, Bashkëthemelues “Koha Jonë” 1991
”Kur ndanë aksionet Nikoll Lesi me Aleksandër Frangaj. Aksionet 100% i Kishte Nikolla i dha 40% Frangajt. Unë i thashë : C’është kjo dhuratë aksionesh. E kam vëlla, më tha” u shpreh Spartak Ngjela, Avokat i “Koha Jonë”

Top Channel