Inside Story/ Prindërit u vunë në hetim, rrëfimi prekës i 13-vjeçares: Jemi të varfër, doja të ndihmoja nënën, askush nuk…

15/04/2026 22:50

Një 13-vjeçare nga Elbasani u shoqërua nga ana e policisë, pasi u gjet duke lypur në bulevardin “Aqif Pasha”, në lagjen “Kongresi i Elbasanit”.

Pas dërgimit në komisariat, është shoqëruar edhe nëna e saj që kishte dalë së bashku me të.

Në momentin e pyetjes nga ana e oficerit të policisë gjyqësore, e mitura ka rrëfyer se kishte dalë së bashku me nënën e saj për shkak të kushteve ekonomike. E vogla më pas është shkëputur nga nëna e saj, e cila po mblidhte para. Ka marrë disa kartonë dhe është ulur, ku është konstatuar nga Policia.

Askush nuk më ka detyruar për të lypur, ka qenë mendimi im për të ndihmuar nënën, por pa e ditur kjo e fundit. Është hera e parë që dal për të lypur dhe e fundit. Më vjen keq për veprimin sepse nuk e dija se do t’i shkaktoja kaq shumë probleme familjes sime dhe nuk e dija që diçka e tillë nuk lejohet.

Nëna e fëmijës është marrë në pyetje e shkëputur nga vajza dhe dëshmia e saj përputhej plotësisht me atë të të miturës. Ajo rrëfeu se nuk e ka nxjerrë kurrë vajzën për të lypur.

Për shkak të kushteve të vështira ekonomike dal për të lypur në rrugë. Bashkëshorti mbledh kanaçe. Kemi ndihmë ekonomike nga Bashkia. Janë të vetmet të ardhura që kemi, jemi 7 persona. Vajzën e mora me vete atë ditë. Në një moment u largua duke i thënë se do të bënte një xhiro. Nuk i kam kërkuar të lypte. Kur e ka pyetur i ka thënë se donte ta ndihmonte të blinte dru, nuk e ka bërë kurrë më parë.

“Ka një mungesë ndërgjegjësimi për të kuptuar se ky veprim përbën shkelje të ligjit. Një prind që detyron fëmijën për të lypur, këtë gjë nuk e sheh si një shkelje ligjore, por e sheh si një mënyrë mbijetese për shkak të shkaqeve ekonomiko-sociale. Në vështrim të prindit kjo është mbijetesë e kobshme ndaj varfërisë. Vetë i mituri nuk e kupton se përbën shkelje ligji”, u shpreh, Glenda Zeneli, prokurore.

Pas verifikimeve, Prokuroria e Elbasanit ka vendosur që të kërkojë pushimin e çështjes lidhur me vajzën 13-vjeçare që u gjet duke lypur, duke qenë se nuk kanë gjetur elementë abuzimi. Vendimi për të hequr dorë nga ndjekja penale u konsiderua lëvizja e duhur për të mos rënduar më shumë pozitat e familjes.

“Për të konsideruar që është eliminuar është herët, pavarësisht se ne e kemi prioritet ndjekjen e rasteve të tilla. Ne do të vijojmë me goditjen e këtyre rasteve. Këto janë raste që janë miks shkaqesh dhe përveç zgjidhjes penale, duhet të jemi të kujdesshëm të gjejmë edhe zgjidhje sociale”, u shpreh Zeneli.

Top Channel