Flakët përfshinë biznesin në Radhimë/ Pronarët dyshojnë për zjarrvënie të qëllimshme: Kemi pasur konflikte lidhur me pronat, dëgjuam disa hapa pranë lokalit dhe pastaj…
Përpjekjet për zgjidhjen dhe dhënien fund të fenomenit të lypjes jo vetëm që nuk kanë marrë zgjidhje, por edhe adresimi ka qenë i vakët. Shfrytëzimi i fëmijëve për lëmoshë, sot përbën një fenomen të jashtëligjshëm për të cilin mbyllen sytë.
Ironikisht, vëmendje marrin vetëm rastet e fataliteteve që bëjnë zhurmë dhe i përplasen si shuplakë shoqërisë në indiferentizmin e tyre të përgjithshëm.
Ky është rasti fatal i humbjes së jetës së një fëmije 7-vjeçar që po kërkonte lëmoshë në rrugë. Në kronologjinë e ngjarjes, shoferi i jep fillimisht fëmijës disa qindarka për ta ndihmuar.
Të miturit i bien paratë përpara makinës dhe shoferi nuk e shikon lëvizjen e tij. Në momentin që hapet semafori, fatkeqësisht nis lëvizjen dhe e përplas. E pas tij, një tjetër automjet hipën mbi trupin e të miturit duke bërë që plagët të jenë fatale.
Makina e parë ndalet dhe e dërgon në spital për t’i dhënë ndihmën e parë, por përpjekjet nuk janë të mjaftueshme. I mituri humb jetën në spital.
Ky është vetëm një nga shumë rastet që ndodhin me vogëlushët që janë në kushte rruge, por është më i zëshëm edhe për shkak të vëmendjes mediatike të madhe që pati.
“Ai fëmija, duhet të ishte në shkollë, duhet të ishte në kopsht, sepse ishte 7 vjeç. Nuk ishte aty. Fatkeqësi dypalëshe, asnjë prind nuk ka dëshirë që ta nxjerrë fëmijën në rrugë, asnjë shofer nuk do të shtypë asnjë fëmijë”, u shpreh Franko Velia, Sekretar i Përgjithshëm te Roma Versitas Albania
“Kur flasim për aksidente, nuk flasim vetëm për aksidente siç ishte rasti i fundit që janë raste të rralla, por flasim për shkatërrimin e mirëfilltë të fëmijërisë së këtyre fëmijëve”, u shpreh Altin Hazizaj, Drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve
“Fakti që ndodhen në rrugët e kryqëzimet e qytetit rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e tyre duke pasur parasysh se si funksionon edhe trafiku”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci
Rreziqet ndaj fëmijëve në kushte rruge janë nga më të ndryshmet. Madje, vetë prokurorja e Tiranës, Alma Bramo, që ka në hetim rastin e dhimbshëm të 7-vjeçarit që humbi jetën, e pohon diçka të tillë në një intervistë për Inside Story.
“Është e rrezikshme, shumë e rrezikshme, pasi një fëmijë që lyp është i ekspozuar ndaj shumë rreziqeve. Mund të bëhet objekt dhune, mund të bëhet objekt shfrytëzimi. Ai mund të bëhet objekt i gjithë fatkeqësive dhe ekspozimeve që sjell rruga. Ju e thatë se ka pasur edhe fatalitete”, u shpreh Alma Bramo, prokurore
Nëse prokurorja ngre alarmin nisur nga rastet që ka ndjekur në detyrën e saj, specialistët vendosin direkt gishtin në plagë, teksa analizojnë motivet që kanë ndikuar në rritjen e numrit të fëmijëve që shfrytëzohen.
“Numrat e fëmijëve dhe ajo që është pjesa më zhgënjyese, numrat e fëmijëve në vend që të reduktohen, apo të eliminohen, në fakt numrat sidomos gjatë dy viteve të fundit tregojnë për një rritje të fenomenit”, u shpreh Altin Hazizaj, Drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
“Situata e fenomenit të lypjes ka zgjatur prej vitesh dhe me kalimin e kohës ka ardhur më në rritje, më në dukje dhe si pasojë e disa faktorëve dhe problemesh me të cilat minoriteti rom përballet”, u shpreh Franko Velia, Sekretar i Përgjithshëm te Roma Versitas Albania.
Top Channel