Gazeta “Koha Jonë” ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe të shtypit të vendit si një fenomen sui generis, me një rol të padiskutueshëm në politikën e asokohe deri më 1997 dhe me një impakt të jashtëzakonshëm në shoqëri.

“Duke lexuar shkrimet e ribotuara në faqet e gazetës, sheh që është një liri militante që reflekton konceptet tona për gazetarinë. Është një frymë luftarake që do të thoja me doza të forta militantizmi ndoshta ndonjëherë nuk është edhe shumë profesionale. Mendoj që gazeta e asaj kohe e periudhës kur u konsolidua, por edhe si një opozitë jo partiake është sa militante, aq edhe e vërtetë, sa luftarake edhe profesionale.” u shpreh Remzi Lani, Bashkëpunëtor “Koha Jonë”1990-1999.

“Më ka mbetur në mendje momente epike kur në apartamentin e Z. Lesi në Lezhë u vendos eksploziv. Ngjarja qe e frikshme, ishte me djlain e vogël të sapolindur. I merr me vete në Tiranë, nuk mund ti linte atje. Ne të gjithë u premë. Menduam që duhet ti kishim dhënë fund kësaj historie dhe kur pamë reagimin e Lesit që u ul të shkruante, të vazhdonte betejën, atëherë u vendos që nuk do të kishte më kthim pas.” u shpreh Armand Shkullak, Kryeredaktor “Koha Jonë” 1997-1998.

Një ngjarje tjetër është ajo e vitit 1996, kur u hodh në erë po me eksploziv supermarketi i Vefës te 9-katshet. “Ne ishim duke punuar në redaksi dhe në mbrëmje vijnë forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe marrin të gjithë redaksinë. Ishin me maska, me antiplumb, automatik. Na fusin në furgona dhe na çojnë në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe na mbajnë deri në 5 të mëngjesit.

Ka qenë e habitshme që asnjë nga gazetarët që ndodhej në komisariat nuk shfaqi asnjë shenjë frike apo paniku. Gjëja e parë që bëmë kur u kthyem në 5 të mëngjesit ishte që punuam deri në 8 të mëngjesit dhe e nxorrëm numrin e të nesërmes me titull të madh nga Emin Barçi “Vefa si Rajshtagu” u shpreh Armand Shkullak, Kryeredaktor “Koha Jonë” 1997-1998. Bashkimi i njerëzve që bënin gazetën, ishte më shumë se bashkim gazetarësh.

“Ishte bashkim intelektualësh, njerëzor, dhe professional. Solli këtë që gazeta Koha Jonë u bë përfaqësuesja, mbështetësja e aspiratave dhe problematikave të njerëzve. Kjo e bëri atë që e bëri, pastaj morën hov firmat piramidale, ndodhën ato që ndodhën. Nevoja për një medie të lirë rritej. Sa më shumë rritje represioni qeverisjes, rritej nevoja për media të lirë. Zgjedhjet e 1996 u manipuluan, përsëri u rrit nevoja. Pati gjithmonë ngjarje. Aq më shumë e gjenin njerëzit veten te Koha Jona. Ishte fat edhe për mua të isha te gazeta “Koha Jonë” bashkë me përrenjtë që bashkoheshin në një lum.”u shpreh Enton Abilekaj, Kryeredaktor “Koha Jonë” 1999-2001.

Fenomeni Koha Jonë shihet në shumë dimensione nga ata që kanë qenë pjesë e saj. “Por larg gjuhës së drunjtë mund të heq një paralele me romanin e Gogolit “Manteli.” Thuhet që letërsia ruse pas Mantelit, shkrimtarët e mëdhenj thoshin se kemi dalë të gjithë nga Manteli i Gogolit. Edhe ne kështu mund të themi, ne kemi dalë të gjithë nga Koha Jonë ose nga Manteli i Nikoll Lesit që e simbolizonte këtë element, por Koha Jonë e asaj kohe e tejkalonte pronësinë, të qenit gazetë, thjesht të qenit një institucion mediatik.”u shpreh Henri Çili, Gazetar “Koha Jonë” 1995-2000.

Top Channel