Duke shtuar shqetësimet mbi plakjen në rritje të popullsisë, të dhënat e fundit të publikuara nga Japonia kanë treguar se popullsia e fëmijëve është më e ulëta në dekada.
Shifrat e publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komunikimeve të Japonisë tregojnë se numri i fëmijëve të moshës 14-vjeç ose në moshë më të re është 14,93 milionë nga 1 prilli, njoftoi Kyodo News.
Shifrat e fundit janë të paktën 190 mijë më pak se një vit më parë dhe shifra më e ulët midis të dhënave të krahasueshme të disponueshme që nga viti 1950, sipas ministrisë.
Me një popullsi prej afërsisht 127 milionë, Japonia ka regjistruar ulje të popullsisë së fëmijëve vazhdimisht gjatë 40 viteve të kaluara, duke shkaktuar që ekonomia e tretë më e madhe në botë të përballet me plakje të popullsisë.
Japonia është midis 33 vendeve të cilat kanë raportuar numrin më të ulët të popullsisë së fëmijëve, së bashku me Korenë e Jugut dhe Italinë.
Sipas ministrisë, ky raport ra në 11,9 për qind pas rënies së vazhdueshme në 47 vite.
Nga 14,93 milionë njerëz të moshës 14-vjeç ose më të ri, 7,65 milionë janë djem dhe 7,28 milionë vajza. Ata, të cilët janë të moshës deri në dy vjeç, përbëjnë vetëm 2,65 milionë.
Popullsia e fëmijëve kishte arritur kulmin në vend në 1954, duke regjistruar 29,89 milionë. Megjithatë, ky numër ka regjistruar një rënie të vazhdueshme që nga viti 1982.
Ndërkohë, situata me pandeminë e Japonisë ka parë një rritje tjetër. Vendi ka raportuar 1.084 raste me COVID-19 me simptoma të rënda. Rastet e tilla kanë rritur presionin në infrastrukturën shëndetësore të Japonisë.
Japonia ka raportuar 602.862 raste me COVID-19, përfshirë 10.361 vdekje.
Tokio, Osaka, Hyogo dhe Kyoto janë provincat më të prekura ku është vendosur gjendje e jashtëzakonshme më 25 prill, e cila do të jetë në fuqi deri më 11 maj për të ndaluar përhapjen e virusit.
Kryeministri japonez, Yoshihide Suga, është zotuar të vaksinojë 36 milionë njerëz të moshuar në vend deri në fund të korrikut./AA/
Top Channel