Anila Hoxha
Detaje të reja dalin në dritë nga hetimi për gjobën prej 100 mijë paund të vendosur nga disa persona që dyshohet se kanë shtëpi hashashi në Angli dhe që kërcënuan një biznesmen pasi i biri ishte arratisur nga banesa ku kultivohej drogë.
Ashtu sikurse Top Channel raportoi një ditë më parë çështja është regjistruar për gjobvënie dhe kanosje, ndërkohë që është marrë në pyetje motra e dy shtetasve që janë nën hetim për shtëpitë e marijuanës.
Burimet i thanë Top Channel se gruaja shprehet se ” Kujtimi dhe Besarti jetojnë në Angli dhe për një periudhë kohe kanë punuar në shtëpi bari. Kujtimi se bashku me një person të quajtur Kalvin që është djali i biznesmenit kanë investuar së bashku në shtëpinë e marijuanës”.
E informuar me detaje për punësimin e të riut që u largua nga Shqipëria në muajin dhjetor gruaja i thotë grupit të hetimit se Kalvin përveç investimit kishte vendosur që të punonte si roje në shtëpinë e hashashit.
” I ati mori Kujtimin në telefon dhe i tha që djalin ja kishte kapur policia, por avokatët u interesuan dhe zbuluan që ai nuk ishte arrestuar, por ishte arratisur dhe kishte vjedhur edhe drogën” thotë në dosje motra e dy trafikantëve. Dëshmitarja shton se pas këtij momenti vëllezërit e saj morën një shtëpi tjetër hashashi, por i riu babai i të cilit u gjobit i ka ndjekur pas për të mësuar adresën e për t’i vjedhur sërish.
” Kalvini së bashku me katër shokë, ku njëri mbante një sopatë kanë tentuar të hyjnë në shtëpinë e barit për të vjedhur, por pronari i pa në kamera dhe reagoi, ndaj grabitësit u larguan” thuhet më tej në këtë hetim ku jepen identitetet e kërcënuesve që gjobiten për llogari të dy kuksianëve në Britaninë e Madhe një shqiptar në Tiranë.
Ky është hetimi i katërt që lidhet me shtëpitë e barit. I pari lidhet me rrëfimin e një vajze që u largua në Britaninë e Madhe për tu martuar, por përfundoi në një punëtore hashashi. Kurse dy rastet e tjera lidhen me hetimin pasuror , të dy shtetasve të arrestuar në shtëpi bari por që pasuritë e tyre në Tirane po hetohen.
Top Channel