Ornaldo Rakipi, kandidati i Partisë Socialiste që ia doli të fitojë mandatin e deputetit në Tiranë duke thyer herësin, ka reaguar në rrjetet sociale duke falenderuar të gjithë ata që e mbështetën dhe besuan tek ai në këtë garë.
Ai mori 14455 vota duke thyer listën zyrtare të PS-së dhe ia hequr mandatin, të paktën deri më tani duke nxjerrë jashtë Parlamentit Ervin Bushatin.
“Kjo nuk është fitorja ime, kjo është fitorja jonë!”, shprehet Rakipi në një reagim në Facebook.
Djali i ish-deputetit të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi merr një mandat të rëndësishëm, pasi sipas shifrave zyrtare te KQZ-se ka marrë votat më shumë se ministrat e qeverisë dhe nxori jashtë kryetarin e PS-së për Tiranën.
Reagimi i plotë në Facebook
Miqtë e mi, një falenderim nga zemra për të gjithë ju, që besuat tek unë, që besuat tek ne!
Si fillim, dua të falenderoj Kryeministrin e vendit dhe Kryetarin e Partisë Socialiste z.Edi Rama, për besimin që investoi tek unë, duke më bërë pjesë të skuadrës fituese, edhe pse me moshën më të re ndër kandidatët.
Dua gjithashtu të falenderoj, mbështetësit e mi të cilët me besimin e përkrahjen që më dhanë nuk më lanë asnjë mundësi tjetër përveçëse të merrnim fitoren.
Ky rezultat, padyshim nuk do ishte i mundur pa mbështetjen e stafit tim të palodhur, të cilët shpejt u kthyen në familjen time të dytë, të miqve të mi, me të cilët kemi ndarë shumë rrugëtime por asnjë si ky, të familjes sime të madhe që besoi pareshtur tek unë e më dha forcë e kurajo të pamatë përgjatë gjithë këtij rrugëtimi.
Sot, është një ditë kur nuk festojmë numrat por festojmë besimin, festojmë vëllazërinë tonë, festojmë ëndërrat, festojmë kontributin tonë për të ardhmen e një Shqipërie që do të ecë krah për krah me zhvillimin, festojmë vizionin, festojmë dëshirën për punë dhe faktin që Shqipëria ka kaq shumë njerëz që e duan vendin e tyre mbi çdo interes personal.
Premtoj asgjë tjetër përveçëse maksimumit të përpjekjeve të mia për të bërë më të mirën për ju e Shqipërinë ku kemi zgjedhur të jetojmë!
Kjo nuk është fitorja ime, kjo është fitorja jonë!
Sot, fjala “Faleminderit” çuditërisht po më duket sikur nuk mjafton për të shprehur mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë jush!
Top Channel