Sipas një raporti të BE-së Pekini dhe Moska po kërkojnë të minojnë besimin tek vaksinat perëndimore duke promovuar intensivisht të tyret.
Kina dhe Rusia kanë nisur fushata për të prishur besimin në strategjinë e Bashkimit Evropian për luftimin e virusit korona si dhe për të shtuar skepticizmin ndaj vaksinave të virusit korona të zhvilluara në Perëndim, njoftoi Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS) në një raport mbi dezinformimin në lidhje me pandeminë Covid 19 të botuar të mërkurën.
Sipas raportit, përpjekjet për “dezinformim të sponsorizuara nga shtetet” janë intensifikuar që nga fillimi i 2021, kur në të gjithë botën filloi shpërndarja e vaksinave me ritëm të përshpejtuar. Ndërsa Kina dhe Rusia, kanë rritur përpjekjet për të reklamuar vaksinat e tyre të prodhuara nga shteti, ato i kanë përdorur fushatat për promovimin e tyre për të “minuar besimin” në vaksinat perëndimore dhe institucionet e BE. Për të arritur këto qëllime të dyja vendet “po përdorin mediat e kontrolluara nga shteti, mediat sociale, përfshirë dhe faqe zyrtare”, thuhet në raport. Në Rusi, mediat shtetërore po përpiqen të “hedhin dyshime” ndaj Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) dhe e duke akuzuar atë për vonimin e miratimit të vaksinës ruse Sputnik V.
Në raportin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së shprehet shqetësime se rritja e rasteve të koronavirusit në BE dhe shpërndarja e ngadaltë e vaksinave, po përdoren nga Rusia dhe Kina si shembuj për dështimin e demokracisë dhe të shoqërive të hapura. Kina dhe Rusia po përpiqen të ushtrojnë ndikim sidomos në Ballkanin Perëndimor, thuhet në raportin e botuar nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS).Megjithëse BE është kritikuar për një shpërndarje të vaksinave më ngadalë se sa pritej, BE thotë se pas shtimit të kapaciteteve prodhuese këtë verë pritet të jenë vaksinuar 70% e të rriturve.
Top Channel