Presidenti Ilir Meta ka folur nga qyteti i Vlorës duke thënë se ka qenë një ditë e mrekullueshme dhe uron të jetë kështu derisa të mbyllet krejtësisht procesi.
Meta i bëri thirrje të gjithëve që të shkojnë drejt qendrave të votimit ndërsa i bëri apel policisë e prokurorisë që të hetojnë cdo krim zgjedhor në mënyrë që të jepet garancia për zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Ilir Meta: Kishim lënë këtë takim në Vlorë prej ditësh dhe do të jemi këtu por edhe kudo tjetër që do të jetë e nevojshme dhe e domosdoshme për të dhënë mesazhin e rëndësishëm nga Vlora e flamurit kombëtar, nga Vlora e gjithë shqiptarëve se duhet të vazhdojmë edhe në minutat që vijmë të marrim pjesë në zgjedhje. Kam një mesazh për të gjithë, pjesëmarrje, pjesëmarrje që të tregojmë se e kemi kuptuar rëndësinë dhe fuqinë e votës tonë, se vetëm garancia e votës na garanton ligjin për një të ardhme në Vlorë e Shqipëri. Kjo është një ditë historike sepse jemi njohur si vend problematik dhe kjo ka mbajtur peng çeljen e negociatave.
Kjo ditë e mrekullueshme duhet të vazhdojë kështu derisa të mbyllet krejtësisht procesi i votimit. Në Vlorë, në Shqipëri ndaj dhe unë besoj se pjesëmarrja e lartë në të gjithë vendin, sidomos në Tiranë Durrës e Elbasan do të vijojë. Mendoj që Vlora ka mundësi që të japë kontributin e saj. I ftoj të gjithë të shkojnë drejt qendrave të votimit, të votojnë të ardhmen, të shkojnë në mënyrë qytetare sepse për ne është më e rëndësishme bashkëjetesa demokratike.
Standardi i zgjedhjeve është kusht për cështjen e negociatave. Besoj që do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të nisim një epokë të re në Shqipëri. Nuk mundet kurrë një qytetar nesër t’i kërkojë llogari parlamentit e deputetit, qeverisë që do të krijohet apo presidentit të ri që do të krijohet apo zgjidhet nga ky parlament, kështu që e drejta fillon tek vota dhe kjo është e domosdoshme për të gjithë.
I pyetur nga gazetarja e Top Channel, Juri Ristani përse ka thënë se do ta bëjë Zonjë të Madhe Vlorën, Meta është përgjigjur:
“Vlora ka qenë, është dhe do të jetë edhe më shumë Vlora me të cilën krenohen të gjithë shqiptarët se do të jetë Vlora, e cila në një moment historik do thojë fjalën e saj dhe kam shumë besim.
Unë jam këtu për rëndësinë e integritetit në të gjithë vendin, ndaj zgjodha këtë shesh. Të gjithë duhet të jenë pjesë e kësaj dite historike. T’i japim mesazh Europës që kemi reflektuar. Apeloj që policia dhe prokuroria të hetojnë cdo krim zgjedhor që ka ndodhur dhe tenton të dëmtojë këtë proces të mrekullueshëm.
Për mua është e rëndësishme të fitojë Shqipëria, prandaj i ftoj të gjithë të jenë pjesë e këtij qëllimi madhor.”
Ndër të tjera, Meta theksoi se do të qëndrojë në qytetin e Vlorës derisa të përfundojë numërimi i votave.
Ilir Meta: Po, patjetër. Pse bëhet qameti se vajta në Elbasan dhe u ktheva prap në Vlorë. Të gjithë të respektojmë verdiktin e sovranit.
Top Channel