Ministri ukrainas: Trupat ruse vazhdojnë të arrijnë në kufi

21/04/2021 06:33

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha të martën se Rusia së shpejti do të ketë më shumë se 120,000 trupa në kufirin me Ukrainën.

Ministri bëri thirrje për sanksione të reja ekonomike perëndimore ndaj Moskës. Kievi, Uashingtoni dhe NATO-ja janë alarmuar nga grumbullimi i madh i trupave ruse pranë Ukrainës dhe në Krime, gadishullin që Moska aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

Zyrtarët perëndimorë thonë se përqendrimi i forcave tani është më i madh sesa gjatë aneksimit të Krimesë. “Trupat ruse vazhdojnë të arrijnë në afërsi të kufijve tanë në verilindje, në lindje dhe në jug. Brenda rreth një jave, ata pritet të arrijnë një forcë të kombinuar prej mbi 120,000 trupash,” tha zoti Kuleba në një konferencë shtypi në internet.

“Kjo nuk do të thotë që ata do ta ndalin grumbullimin e forcave në këto shifra,” tha ministri i jashtëm, duke paralajmëruar për atë që ai e quajti paparashikueshmëri e Moskës, edhe pse, siç u shpreh ai, Ukraina nuk dëshiron konflikt me Rusinë. Diplomati i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se Rusia ka përqendruar më shumë se 150,000 trupa në kufirin me Ukrainën dhe në Krime.

Rusia ka thënë se grumbullimi i forcave është një stërvitje e shpejtë ushtarake tre javore për të provuar gatishmërinë luftarake në përgjigje të asaj që ajo e quan sjellje kërcënuese të NATO-s. Ajo ka thënë se manovrat ushtarake do të përfundojnë brenda dy javësh. Ministri i jashtëm ukrainas ndoqi një konferencë me video me ministrat e jashtëm të BE dhe tha se “u bëri thirrje hapur kolegëve të fillojnë të shqyrtojnë një raund të ri sanksionesh ndaj sektorëve të ndryshëm ekonomikë të Rusisë”.

Ai shtoi se nuk e ndjente që ministrat e BE-së të ishin të gatshëm për një veprim të tillë, por u tha atyre se sanksionet individuale ndaj zyrtarëve rusë janë të pamjaftueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA