Nderime të shumta kanë mbushur rrjetin për adoleshenten amerikane Darnella Frazier për rolin e saj në dënimin e djeshëm të oficerit të policisë që vrau gjatë arrestimit afro-amerikanin George Floyd.
Asokohe 17-vjeçarja nga Minneapolis po ecte në rrugë me kushëririn e saj, kur Floyd u ndalua nga polici Derek Chauvin më 25 maj të vitit të kaluar.
Duke filmuar ngjarjen dramatike me celularin e saj, ajo regjistroi dhe momentet e fundit të jetës së Floyd, i cili i lutej Chauvin të hiqte gjurin nga qafa e tij pasi “nuk merrte dot frymë”.
Dje Chauvin u shpall fajtor nga gjykata për vrasje të gradës së dytë, vrasje të gradës së tretë dhe vrasje të gradës së dytë nga pakujdesia.
Me gëzimin që soli verdikti, u vlerësua dhe kontributi i çmuar i Frazier, pa të cilin nuk do të ishte arritur dënimi.
Oprah Winfrey ishte mes përdoruesve të rrjeteve sociale që shprehu mirënjohje ndaj Frazier e cila bëri që “gjykata dhe bota të shihte atë që kishte ndodhur”.
Duke dëshmuar edhe vetë në gjykatë, adoleshentja tha e perlotur se kishte kaluar disa netë pa gjumë “duke kërkuar ndjesë që nuk bëri dot më shumë për George Floyd, dhe që nuk ndërhyri për të shpëtuar jetën e tij”.
Në raportin fillestar të policisë thuhej se Floyd kishte vdekur nga “probleme mjekësore” gjatë prangosjes, dhe shtohej se asnjë armë nuk ishte përdorur nga policia, pa përmendur mbështetjen e oficerit me gju mbi qafën e të arrestuarit për gati nëntë minuta.
Organizata letrare e lirisë së shprehjes PEN America, nderoi 18-vjeçaren me një çmim trimërie.
Ajo u lavdërua për “këmbënguljen e saj të veçantë” që i lejoi “miliona njerëzve në të gjithë botën të shihnin atë që pa dhe ajo”.
“Pa prezencën e Darnella dhe gatishmërinë e saj për të rrezikuar veten, ne mund të mos kishim njohur kurrë të vërtetën për vrasjen e George Floyd”, tha organizata.
Vetë Frazier shprehte dje në rrjetet sociale gëzimin që “drejtësia u bë”.
“Nuk i përgjigjem dot të gjitha komenteve tuaja të mrekullueshme, siç do të dëshiroja, por falemnderit. Kam marrë mbështetje të madhe që prej ditës së parë, prandaj ju falenderoj të gjithëve”.
Top Channel