“E rrëmbeu dhe e mbajti 6 muaj në hotel”, Rama zbulon historinë e gjyshes me shoferin e mbretit Zog dhe emrin e pagëzimit që i dha

18/04/2021 16:45

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar në ‘E diell’ historinë e gjyshes së tij dhe njohjen me shoferin e mbretit Ahmet Zogu.

Ai zbuloi se si gjyshja e tij ra dakord që gjyshi ta rrëmbente dhe qëndruan për 6 muaj në hotel derisa mori përgjigje nga Papa i Romës që të martohej me një ortodoks sepse ishte katolike.

Ajo bëri të pamundurën që të gjithë fëmijët të jenë katolikë dhe ndonëse gjyshi donte t’i merrte hak duke pagëzuar Edi Ramën në ortodoks, por ajo e pagëzoi gjatë natës me emrin Paulin. Ky emër është i xhaxhit të kryeministrit. Gjyshja zgjodhi pikërisht atë sepse kishte ndërruar jetë në moshë të re.

Rama: Në një nga udhëtimet në një event në katedralen e Shkodrës, ishte shofer dhe si të gjithë rrinin jashtë. Gjyshja ime në këtë familje, familja e kumbarit ishte shumë katolike, praktikante dhe gjyshja shkonte rregullisht në kishë dhe duke hyrë gjithë besimtarët në katedrale, shoferi i naltmadhnisë që ishte i dhënë pas veturave, por jo aq indiferent pas vajzave të bukura, i nguli sytë dhe që atë moment iu qep duke i bërë serenata. Një ditë të bukur i thotë të martohet. Kjo i thotë familjes, familja i thotë në asnjë mënyrë dhe bëjnë një rrëmbim konsensual. Me veturë e rrëmbeu nga Shkodra dhe e çoi në Durrës.

Kur arriti në Durrës në darkë, gjyshja i thotë ku po shkojmë ne, tek shtëpia i tha. Në asnjë mënyrë i thotë ajo, pa u martuar nuk futem në shtëpinë tënde. Ku do shkojmë? Në hotel. Gjyshja ishte e vendosur që duhet të martoheshin në kishë. Kisha nuk pranonte se ai ishte ortodoks dhe gjyshja i shkruan letër Papës së Romës ku i thotë se unë jam i dashuruar me këtë njeri, vjen nga një familje ortodokse por nëse ju më jepni lejen që të martohem, betohem para Zotit që fëmijët e mi të jenë të gjithë katolikë.

Dhe e ka mbajtur në hotel 6 muaj në Durrës. Vjen përgjigja nga selia e shenjtë dhe martohen në Kishën Katolike, babai im, xhaxhai, halla bëhen të gjithë katolikë dhe kur lind unë, ky më merr dhe më pagëzon ortodoks pa i thënë prindërve. Kthehet në shtëpi i thotë gjyshes e mora hakun, por nipi është ortodoks. Gjyshja e sheh duke qeshur dhe i thotë s’ke për ta kuptuar asnjëherë përse ne katolikët gjithmonë i arrijmë qëllimet tona sepse zgjohemi më herët se ju. Ky është pagëzuar katolik kur ti po flije gjumë. Ajo më kishte pagëzuar natën me një prift dhe unë emrin e pagëzimit e kam Paulin që është emri i xhaxhait, i cili vdiq shumë i ri nga një aneurizëm e zemrës.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA