Dasma mbretërore amerikane, Taylor Swift dhe Travis Kelce martohen në ceremoninë më të komentuar të vitit

04/07/2026 14:52

Taylor Swift i ka dhënë fund beqarisë.

Ylli botëror i muzikës dhe lojtari i NFL-së, Travis Kelce, u martuan këtë të premte në një ceremoni luksoze në Nju Jork, duke kurorëzuar një nga historitë më të ndjekura të showbiz-it amerikan.

Dasma, e cilësuar nga mediat si “dasma mbretërore e Amerikës”, u zhvillua në fundjavën e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së, nën masa të jashtëzakonshme sigurie dhe me një sekret të plotë rreth organizimit. Çifti nuk bëri asnjë njoftim publik për ceremoninë, ndërsa të ftuarit raportohet se firmosën marrëveshje konfidencialiteti.

Publicistja e Swift zbuloi disa detaje nga ceremonia. Vëllai i këngëtares, Austin Swift, mbajti rolin e “Man of Honor”, ndërsa Jason Kelce, vëllai i Travis, ishte “Best Man”. Ceremonia u drejtua nga aktori Adam Sandler, mik i çiftit. Taylor Swift veshi një fustan të krijuar nga Christian Dior Haute Couture, këpucë të personalizuara Christian Louboutin dhe bizhuteri Cartier. Pak para konfirmimit zyrtar, në ekranin gjigant jashtë Madison Square Garden u shfaq mesazhi: “JUST MARRIED!”.

Rreth 1.000 të ftuar morën pjesë në dasmën sekrete, mes tyre emra të njohur si Gigi Hadid, Hugh Grant, Bradley Cooper, Dakota Johnson, Benson Boone dhe Camila Cabello. Empire State Building u ndriçua me drita blu në nder të çiftit. Festa vijoi deri në orët e para të mëngjesit, me performanca të Stevie Nicks, Tim McGraw dhe Ed Sheeran.

Për të shënuar këtë moment, çifti dhuroi gjithashtu 26 milionë dollarë për organizata bamirëse në SHBA, përfshirë fondacione në Nju Jork dhe Kansas City. Taylor Swift dhe Travis Kelce shpallën fejesën në gusht të vitit të kaluar, ndërsa historia e tyre e dashurisë është kthyer në një nga më të komentuarat në botën e muzikës dhe sportit.

Top Channel