Urgjenca me 13 ambulanca të reja, rritja e fluksit të vizitave edhe prej sezonit turistik

01/07/2026 20:01

13 autoambulanca të reja, me aparatura dhe sisteme jetëshpëtuese sipas standardeve evropiane, iu shtuan Urgjencës Kombëtare.

Gjatë inspektimit të flotës së re, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, vlerësoi rolin kyç të shërbimit të urgjencës në ofrimin e ndihmës së parë, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur fluksi i qytetarëve dhe vizitorëve është më i lartë.

“Ky investim merr një rëndësi të veçantë në kulmin e sezonit turistik, kur sistemi ynë shëndetësor përballet me një fluks shumë më të lartë qytetarësh dhe vizitorësh. Për këtë arsye, të gjitha strukturat shëndetësore janë në gatishmëri të plotë. Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore, 36 qendrat shëndetësore verore, spitalet rajonale dhe ato universitare funksionojnë si një rrjet i vetëm, i koordinuar në kohë reale, për të garantuar që çdo rast të marrë përgjigjen e duhur, në kohën e duhur”, theksoi ministrja Sala.

Ministrja tha se vetëm gjatë javës së fundit, në qendrat shëndetësore verore janë kryer mbi 12 mijë vizita, teksa solli në vëmendje dhe rastin e turistes nga Zelanda e Re që u pickua nga nepërka gjatë ecjes në Valbonë, dhe që iu ofrua në kohë shërbimi mjekësor.

Aktualisht, flota përbëhet nga 120 autoambulanca, 1 motor urgjence dhe 1 automedikë.

Top Channel