Scott Eastwood kritikon yjet e Hollivudit: Kam parë sjellje që nuk do të toleroheshin në asnjë profesion tjetër

01/07/2026 08:42

Aktori Scott Eastwood ka kritikuar ashpër kulturën e Hollivudit, duke thënë se disa yje të industrisë sillen sikur nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Djali 40-vjeçar i legjendës së kinemasë, Clint Eastwood, bëri komentet gjatë një interviste në podcast-in The Joe Rogan Experience, ku foli për përvojat e tij në industrinë e filmit.

Pa përmendur emra, Scott tregoi se kishte punuar së fundmi me një personazh shumë të njohur, i cili vendosi të largohej nga një projekt pasi kishte nisur para-prodhimi, vetëm sepse nuk donte të bashkëpunonte me një tjetër pjesëtar të ekipit.

“Sapo kam punuar me dikë dhe, pa përmendur emra, ka njerëz që bëhen shumë të famshëm për shumë kohë dhe mendojnë se bota u detyrohet diçka”, tha ai.

Sipas aktorit, vendimi i këtij personi i shkaktoi humbje financiare investitorëve të filmit.

“Ne kishim shpenzuar tashmë shumë para për projektin dhe ai vendosi se nuk donte të punonte. I thashë se duhej t’ia kthente paratë investitorit, sepse ishte gjëja e duhur për t’u bërë, por ai refuzoi. Thjesht u largua, edhe pse para-prodhimi kishte filluar”, tregoi Eastwood.

Ai shtoi se gjatë karrierës së tij ka parë sjellje që, sipas tij, nuk do të toleroheshin në asnjë profesion tjetër.

“Kam parë sjellje në këtë biznes që janë tronditëse dhe nuk do të ndodhnin në asnjë industri tjetër”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Scott foli edhe për ndikimin që ka pasur babai i tij në formimin e karakterit dhe etikës së punës. Ai tha se Clint Eastwood e ka mësuar gjithmonë të trajtojë aktrimin si një profesion dhe jo si një mënyrë jetese të lidhur me famën.
“Mesazhi i tij ishte gjithmonë i njëjtë: vish çizmet dhe shko në punë”, tha aktori.
Scott tregoi gjithashtu se ishte me fat që pa nga afër anën më pak të bukur të industrisë, pasi vizitonte shpesh të atin në sheshet e xhirimit. Sipas tij, kjo e ndihmoi të kuptonte se si nuk duhej të sillej.
Ai vlerësoi gjithashtu mënyrën se si Clint Eastwood e mbrojti familjen nga vëmendja mediatike. Familja jetonte në Carmel dhe jo në Los Anxhelos, duke bërë që ai dhe motrat e vëllezërit e tij të kishin një fëmijëri sa më normale.
“Babai bëri një punë të jashtëzakonshme duke na mbrojtur. Ai donte që ne të ishim fëmijë normalë dhe të mësonim si funksionon bota”, tha Scott. Në fund, aktori theksoi se ai dhe babai i tij e kanë parë gjithmonë aktrimin si një punë dhe jo si një identitet të përhershëm. “Babai im nuk ka qenë kurrë nga ata aktorë që jetojnë vazhdimisht në personazh. Ai besonte se është një punë: shko, përgatitu, bëj më të mirën dhe pastaj lëre gjithçka pas derës”, përfundoi Scott Eastwood.

Top Channel