Emisioni Fiks Fare solli rastin e një nëne me dy fëmijë të mitur të cilët po jetojnë në një shtëpi të dëmtuar dhe të amortizuar, sipas kryefamiljares dëmtimet shtëpia i ka marrë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Familja Sefa në Rrasë të Belshit ankohet në emisionin Fiks Fare ,se nuk po i rikonstruktohet shtëpia edhe pse është dëmtuar nga tërmeti.
Kryefamiljarja, Pranvera Sefa, thotë se jeton me dy fëmijë të mitur dhe merr vetëm 50 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike. Banesa në të cilën jeton bashkë me fëmijët e saj ka plasaritje, por duket se është e vjetër dhe e amortizuar.
Ajo kërkon një banesë për fëmijët e saj, pasi në atë familje nuk punon askush që pas vdekjes së bashkëshortit të saj.
Në Njësinë Administrative Rrasë administratori thotë se shtëpia e saj do rindërtohet dhe se dokumentet i kanë çuar në bashki, ai thotë se rindërtimet e banesave të tjera janë bërë me tender dhe kjo është në listë në fitimin e tenderit.
Ai tregon se i kanë dorëzuar të gjitha letrat në bashki.”Patjetër që do ndërtohet shtëpia e Pranverës” thotë administratori.
Ndërkohë Bashkia Belsh në një shkresë zyrtare dërguar për emisionin Fiks Fare sqaron , se banesa e kësaj familje nuk është fare në listën e banesave që do rikonstruktohen, pasi kjo banesë ka dëmtime të lehta.
Por sipas bashkisë kjo familje është në listën e familjeve që do marrin bonus qeraje për vitin 2021.
Top Channel