7 vite nga miratimi i reformës territoriale, Lulzim Basha zotohet se do e zhbëjë për ta ribërë sërish me Referendum.
Koncepti i demokratëve është për ta nisur reformën e re me decentralizimin, për ta mbyllur me ndarja e re territoriale.
“Do bëjmë decentralizimin e plotë. Ju banorët e Baldushkut, njësoj si banorët e Petrelës, Farkës, Bërzhitës, Krrabës, Dajtit, e të Ndroqit, të Vaqarit, të Kasharit, të Prezës, të Vorës, do të keni mundësinë të shpreheni me referendum për ndarjen e re territoriale. Nuk do të jetë më kryetari i pushtetit vendor të Baldushkut te kali i Skënderbeut, por do jetë sa më afër jush. Do bëjmë të mundur një ndarje të re administrative ku do ta keni pushtetin afër jush, do të thotë do ta zgjidhim vetë do e shkarkojmë vetë kryetarin e Komunës me ndarjen e re administrative”, tha Basha.
Fermerët e Baldushkut, Basha i siguroi se nuk do jetë e nevojshme të kenë certifikatën e pronësisë për të marrë subvencione, ndërkohë u zotua se do të standardizojë e lejet e ndërtimit.
“Unë nuk të them se lejet e ndërtimit do të besh patjetër kështu apo ashtu por të jap mundësi të zgjedhë mes 10 apo 20 modeleve, atë që ti ke mundësi apo dëshirë apo si çmim dhe në këtë moment procesi i dhënies së lejes së ndërtimit reduktohet dhe kthehet automatikisht. Çdo proces do thjeshtohet maksimalisht”, tha Basha.
4 vite me parë ishte Kryeministri që e ftonte ne debat kreun e opozitës. Sot rolet kanë ndryshuar dhe është Lulzim Basha lutet për përballje me Edi Ramën.
“Refuzon debatin, shqiptarët kanë një traditë debati, ulen burrat bëjnë debat, në luftë dhe në paqe, në të mirë dhe në të keq. Në çdo vend demokratik kryeministri e ka për detyrim të dalë në debat dhe të japë llogari dhe kandidati për kryeministër e ka për detyrim të dalë e të thotë si do i zgjidhë ai problemet. Ku është trimi i madh. E kam ftu dit për dit dhe e ftoj dhe sot”, tha Basha.
Pasi la bisedës me fermerët Basha nxitoi për në njësinë numër 7 dhe 8 në Tiranë ku e priste një tjetër atmosferë nga simpatizantët.
Top Channel