Manchester United mbetet një nga skuadrat favorite për të fituar trofeun në këtë edicion të Europa League. Djajtë e Kuq u konfirmuan si një prej ekipeve më të forta të kompeticionin edhe në transfertën e Los Carmenes ndaj Granadas ku triumfuan me rezultatin 0-2 në çerekfinalen e parë falë golave të Rashford dhe Bruno Fernandes.
Në përfundim të sfidës trajneri i Djajëve të Kuq Ole Gunnar Solskjaer theksoi se Manchester United nuk shfaqi versionin e saj më të mirë në sfidën e parë ndaj Granadas edhe pse është me një këmbë në gjysmëfinale.
“Nuk ishte një mbrëmje perfekte. Morëm tre kartonë të verdhë dhe në ndeshjen e kthimit do të na mungojnë tre lojtarë Maguire, Shaw dhe McTominay. Gjithsesi, rezultati 0-2 është shumë i mirë. Nuk është e thjeshtë të vish në Spanjë dhe të sigurosh një rezultat pozitiv. Objektivi ynë është të fitojmë çdo ndeshje. Skuadra ime është e re, kështu që duhet të përmirësohemi akoma“, deklaroi trajneri norvegjez.
Sfida e kthimit që do të luhet të enjten e ardhshme në Old Trafford do të jetë thjeshtë një formalitet për skuadrën e Solskjaer që për të prekur edhe zyrtarisht për të dytin sezon radhazi fazën gjysmëfinale të Europa League duhet të menaxhojë fitoren 2-0 të arritur në Spanjë.
Top Channel