Exclusive/ “Bënte skemat me copa buke e pirunj”, rrëfimi i Igli Tares për Guardiolën para se të bëhej trajneri i madh

27/09/2026 22:30

Exclusive nga Endi Tufa

Në vitin 2001, Pep Guardiola ishte ende futbollist. Kishte mbyllur një kapitull të rëndësishëm te Barcelona dhe sapo kishte mbërritur në Brescia, ku do të gjente mes të tjerëve Roberto Baggion dhe Igli Taren.

Por për Taren, Guardiola nuk mbahet mend vetëm për atë që bënte në fushë.

25 vite më vonë, ish-sulmuesi shqiptar rrëfen një detaj të pazakontë nga ditët që kaluan bashkë në Brescia. Një detaj që, duke parë sot karrierën e Guardiolës, duket thuajse profetik.

“Një nga gjërat më të bukura që kam pasur në eksperiencat e mia, ka qenë edhe fakti se si ai e shikonte botën e futbollit që në atë kohë. Ai në darkë gjente mundësinë që të shpjegonte taktikën duke përdorur pjesë buke ose gota ose pirunja, thika, kështu që ishte diçka shumë e bukur!”

Një Guardiola që, edhe pse ishte ende futbollist, e shihte futbollin përtej 90 minutave të ndeshjes. Në tavolinë, gjatë darkave, pjesët e bukës, gotat, pirunjtë dhe thikat shndërroheshin në lojtarë dhe pozicione, ndërsa ai u shpjegonte shokëve të skuadrës mënyrën se si e perceptonte lojën.

Dhe Tare kujton edhe një tjetër element që i ka mbetur në mendje.

“Por një djalë shumë i thjeshtë edhe ai, edhe ajo të bënte ta ndjeje shumë atë thjeshtësinë e madhe që ata kishin si njerëz.”

Në atë kohë, askush nuk mund ta dinte se lojtari spanjoll që kishte mbërritur në Brescia do të ndërtonte vite më vonë një karrierë të jashtëzakonshme si trajner.

Për Taren, megjithatë, Guardiola i vitit 2001 dhe Guardiola që bota njeh sot kanë diçka të përbashkët.

“Ajo që ka qenë më e bukura është se Guardiola që kemi parë sot, ka qenë i njëjti njeri edhe kur ka qenë futbollist.”

Marrëdhënia mes tyre nuk përfundoi me largimin nga Brescia. Tare tregon se kanë ruajtur kontaktet ndër vite dhe se ka pasur mundësi ta takojë sërish Guardiolën, edhe gjatë kohës kur ai drejtonte Manchester Cityn.

“Kam pasur mundësinë edhe ta vizitoja Guardiolën në një ndeshje të Premier Ligës kundër Nottingham Forest edhe kemi ndenjur bashkë mbas ndeshjes për gati dy orë për të biseduar e për të folur.”

25 vite pas atyre darkave në Brescia, ku një copë buke apo një pirun mund të shndërrohej në pjesë të një skeme taktike, Tare e sheh ende Guardiolën si të njëjtin njeri që kishte njohur atëherë. Ky rrëfim, bashkë me pamjet e rralla të vitit 2001 dhe historitë e një karriere që nisi në Brescia e vijoi në Lazio dhe Milan, është pjesë e dokumentarit ekskluziv “Igli Tare – Të shkruash historinë”, realizuar nga gazetari Endi Tufa.

Top Channel