Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi në një konferencë për mediat, se policia do të nxjerrë jashtë punonjësit për shkak se kanë braktisur detyrën duke bllokuar ardhjen e vaksinave në Shqipëri dhe të gjithë fluturimet e parashikuara.

Balluku deklaroi se Forcat e Armatosura do të marrin në ruajtje godinën e AlbControl dhe shtoi se Policia e Shtetit do të bëjë detyrën, duke nxjerrë nga godina ata kontrollorë që kanë shkelur ligjin.

Balluku: Nuk kishte disponim financiar, pra nuk punoni; nuk ka para. Dëgjova avokatin tuaj që thoshte; që të marrin kredi dhe ta paguajnë. Ju sot pagat i merrni për shkak të një kredie. Ka marr një kredi AlbControl nga EuroControl dhe sot ka nisur pagesa e parë e këstit. Nëse na sugjeroni që të marrim një tjetër kredi; jo nuk e marrim dot! Ju lutem shumë të gjithë kontrollorëve të trafikut ajror, që të kthehen në detyrë, sipas organizimit të turneve që keni pasur apo t’ju orientojnë drejtuesit tuaj. Për shkak të papërgjegjshmërisë tuaj, na lind e drejta që mos të kemi më besim tek ju ndaj mund të kryeni dhe aksione shumë më të rrezikshme për hapësirën shqiptare dhe për popullin shqiptar. Ndaj nga ky moment ndërtesa do të merret në ruajtje nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Nga ky moment Policia e Shtetit do të bëjë detyrën për të liruar ndërtesën nga ata kontrollorë që kanë vendosur që të mos jenë më kontrollorë. Të gjithë të tjerët, vajza e djem që janë rritur në AlbControl shpresoj që t’i kthehen detyrës dhe të harrohet sa më shpejt kjo histori”, tha ajo.

Me tone të forta, Balluku tha se kjo grevë ka ardhur vetëm se ata kërkojnë mbi 4 mijë dollarë pagë në kohë pandemie, ndërsa shtoi se “marrin peng Republikën e Shqipërisë sikur ta kenë tokën e babait të vetë”.

“Për shkak të kësaj emergjence të krijuar në Aeroportin e Rinasit, në portën e vetme që e lidh me vendet e tjera. Kemi situatë të jashtëzakonshme. Kontrollorët kanë vendosur që të bëjnë një grevë tërësisht të paligjshme. Në kodin e Punës është e përcaktuar qartë që; ndalohet greva për sektorët sensitiv, duke e nënvizuar dhe trafikun ajror. Ka nisur që dje kjo tentativë e jashtëzakonshme e kontrollorëve të trafikut ajror, por jo nga e gjithë. Për të kërkuar para në kohë pandemie. Nga 4 mijë e sa dollarë, sepse disa të tjerë e kanë më të ulët, nëse nuk iu afrohen kaq para; atëherë ata marrin peng Republikën e Shqipërisë sikur ta kenë tokën e babait të vetë.”, tha Balluku.

Me grevën e 65 kontrollorëve të AlbControl është pezulluar puna në Rinas, duke ndërprerë kështu fluturimet hyrëse dhe dalëse nga i vetmi aeroport ndërkombëtar që ka vendi ynë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA