Profesor Përparim Kabo ka folur në emisionin “Top Talk” nga Denis Dyrnjaja për zgjedhjet e 25 prillit duke i dhënë një mesazh politikës dhe shqiptarëve.
Për politikën thotë se mungon paraqitja e programit të plotë në të gjitha fushat dhe po bëhen vetëm stisje premtimesh për të joshur zgjedhësit. Ndërsa për shqiptarët thotë se duhet t’ia japin votën personave të rinj që kanë ekspertizë në fushat që mbulojnë.
“Vajtja në zgjedhje është një detyrim qytetar, sa më i ulët të jetë numri, aq më i thjeshtë është të manipulohet rezultati, sa më i lartë të jetë numri i atyre që janë në votime, aq më e vështirë është të bëhet një makinacion i tillë. Unë jam i brengosur që të dy partitë e mëdha na gënjyen dhe nuk e mbajtën premtimin që shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut dhe që numërohen jo pak por 1 milion e 200 mijë qytetarë e humbën të drejtën e votimit edhe në këto votime.
E para që më bie në sy është mungesa e një paraqitje e një programi të plotë në të gjitha fushat. Më shumë kemi të bëjmë me një stisje premtimesh për të joshur emocionalisht zgjedhësit. E dyta është që nëse ke një program ndryshimi që mund të jetë 4,8 apo 12 vjet sic pretendohet, duhet paraqitur lista bindëse e burimeve njerëzore dhe jo thjesht rekrutim njerëzish që ti mendon se mund të mbledhin vota. Mundësia e vetme në këto zgjedhje është vlerësimi me seriozitet i disa individëve që janë përfshirë në listat edhe të partive të mëdha tradicionale por edhe në formacione të reja.
I bëj thirrje qytetarëve që të qëmtojnë tek partitë e mëdha por dhe tek organizimet e reja, individë të rinj, të cilët mund të mos kenë kapacitetet e nevojshme të politikëbërjes por nuk vijnë nga llumi, korrupsioni, vijnë me kapacitete dhe ekspertizë në fushat që mbulojnë dhe nuk do të luajnë lojën e avazit të vjetër politik të dy partive të mëdha. Mund të jetë dhe një përpjekje për makijazh, kjo ishte e vetmja mundësi për ndryshim. Nuk ka fitore spektakolare. Nëse pjesëmarrja do jetë tepër e lartë, pra nëse 60% e zgjedhësve marrin pjesë në votime, atëherë mund të ketë dhe fitore spektakolare. Me numra të vegjël, nuk dalin rezultate të larta”, tha Kabo.
Sa i përket Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, të cilët janë kryetarët e forcave më të mëdha politike në vend, tha se kreu i opozitës është nën trysni ndërsa kryeministri e ka mbushur partinë me persona që i bëjnë kult. Një mesazh e ka dhe për Ilir Metën, të cilit i thotë se duhet të ruajë qetësinë dhe të heqë dorë nga sulmet ndaj ndërkombëtarëve.
“Basha ka qenë në trysni. Para disa vitesh filloi një politikë të drejtë për ta pastruar partinë nga personalitete që nuk është se nuk kishin pasur kontribut, por vjen një moment që konsumohen. Pastaj, nën trysninë e tyre u detyrua të tërhiqej dhe në prag të këtyre zgjedhjeve krijoi një komision po nga të vjetrit, po nga ata që kishte larguar.
Ndërsa Rama është më autoritarian dhe nuk i lë mendimet ndryshe të ngrenë krye. Ai e spastroi partinë nga elitat, e ka mbushur me menaxherë dhe njerëz që i bëjnë kult atij.
Nervozizmi i Metës ka kohë që ka marrë maja të larta. I them publikisht, historia e Shqipërisë në këto 30 vite të ka përkëdhelur, të mori adoleshent dhe të vuri kryeministër vendi, të bëri ministër, të bëri kryetar të parlamentit, të bëri president të republikës. Nuk të ka mbetur gjë tjetër, ndofta të lexojë një përrallë të vëllezërve Grim. Nuk i shkon nervozizmi apo sulmet ndaj ndërkombëtarëve, të ruajë qetësinë, balancat dhe atë pjekuri që ka fituar gjatë këtyre 30 viteve”, tha Kabo.
Top Channel