Papa Françesku zgjedh një shqiptare, për postin e rëndësishëm në Vatikan

26/03/2021 12:37

Ati i Shenjtë emëroi profesoreshën  e Kolegjit të Drejtësisë të Universitetit St. Thomas, Dr. Roza Pati, për të shërbyer në Dikasterin e Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor.

Pati, po ashtu, mbante postin e Drejtoreshës Ekzekutiv në një program për të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut dhe Themeluese e Akademisë së Trafikimit Njerëzor John J. Brunetti.

Sipas letrës Apostolike, “Ky Dikaster do të jetë kompetent veçanërisht në çështjet që lidhen me migrantët, ata në nevojë, të sëmurët, të përjashtuarit dhe të margjinalizuarit, të burgosurit, të papunët, si dhe viktimat e konfliktit të armatosur, katastrofave natyrore, dhe të gjitha format e skllavërisë dhe torturës”.

Mbështetja e kauzave që mbrojnë dinjitetin njerëzor, sjellin ndërgjegjësim dhe kërkojnë zgjidhje efektive ligjore dhe politike drejt heqjes së të gjitha formave të vuajtjeve njerëzore, përfshirë trafikimin njerëzor, është një pasion për Dr. Roza Pati, shkruan STUneës.

E lindur në Shqipëri, Roza Pati u rrit nën diktaturë dhe regjimin ateist, në një familje katolike. Roza ishte ndër të lindurit e fundit që u pagëzua, pak para se regjimi të ndalonte të gjitha fetë, të mbyllte dhe shkatërronte shtëpitë e adhurimit, të burgoste e madje të ekzekutohente priftërinj dhe klerikë të tjerë, shkruan më tej gazeta, duke theksuar një vlerësim për Roza Patin.

Por, unë kisha një bekim unik: një nënë të jashtëzakonshme, një nga besnikët më të devotshme të Kishës Katolike. Ajo më mësoi mua dhe dy motrat e mia, se si të bëjmë shenjën e kryqit, t’i themi lutjet Atit Qiellor, të kërkojmë dhe ndjekim Zotin tonë, të jemi në vepra siç pretendojmë me fjalë“, u shpreh Pati.

Nëna e Dr.Pati ishte vajza e një disidenti i cili u ekzekutua pa u gjykuar. Megjithatë, ajo ishte aq e guximshme sa të mbështeste Rozën dhe motrat e saj në besimin katolik dhe i udhëzoi ato që kurrë të mos pushonin së shërbyeri Zotit, t’u shërbenin me vetëmohim atyre që kishin nevojë dhe të punonin për drejtësi për të gjithë njerëzit dhe për të mirën e përbashkët.

Bazuar në parimet që mamaja e saj mësoi, Pati u rrit për të shërbyer si një zyrtare e zgjedhur në qeverinë lokale shqiptare, një anëtare e parlamentit kombëtar dhe një anëtare e Kabinetit si Sekretare e Shtetit për të Rinjtë dhe Gratë. Ishte atëherë kur ajo mësoi raportet e Shqipërisë si një vend origjine për trafikimin e qenieve njerëzore. Viktimat u trafikuan në Itali dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore, shumica e tyre u shfrytëzuan për seks komercial.

At, Antonio Sharra, një prift italian i cili kishte ardhur për t’i shërbyer komunitetit katolik në rrethin tim, ishte i pari që më drejtoi në problemin e tmerrshëm të trafikimit të qenieve njerëzore,” tha Pati. “Ai më udhëhoqi në periferi të Romës, ku unë mund të shihja me sytë e mi dhe të flisja me vajzat shqiptare që ishin të frikësuara për vdekje. Kurrë nuk e harrova pamjen e ngurtësuar në fytyrat e tyre”.

Emërimi i Dr. Roza Pati nga Papa Françesku si anëtare e Dikasterit për Zhvillimin Integral Njerëzor u parapri nga emërimi i saj nga Papa Benedikti XVI për të përfaqësuar vetëm Shtetet e Bashkuara si Anëtare e Këshillit Papnor për Drejtësi dhe Paqe (2012 – 2017).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA