Top Story/ “T’u qepemi kodrave t’i bëjmë pjellore si fushat” aksioni që zhduku 300 mijë hektarë pyje

16/03/2021 22:41

Erozioni aktualisht konsiderohet si një ndër rreziqet kryesore që po shkatërron burimet nëntokësore.

Ndonëse pas viteve 90-të erozioni ka marrë përmasa të frikshme në vendin tonë, ekspertët thonë se ai ka nisur që para viteve 90-të.

“T’u qepemi kodrave e maleve, t’i zbukurojmë e t’i bëjmë pjellore si edhe fushat” ishte kjo porosia e famshme e Partisë së Punës së Shqipërisë në mesin e viteve 60-të.

Ishte koha kur qeveria e Enver Hoxhës kishte prishur marrëdhëniet me Kinën dhe Bashkimin Sovjetik dhe po përballej me sfidën e urisë dhe mungesës së bukës.

Nën këtë parrullë brezi i ri sulmoi kodrat e malet për t’i kthyer në tokë buke, kryesisht në jug të vendit. Brezaret e famshme të Lukovës, të Sarandës, që fillonin nga Jonufra në Vlorë e deri në Ksamil, u bënë krenaria e asaj kohe.

Por jo vetëm në jug, tarracimet u shtrinë cep më cep të vendit, duke zhdukur pyjet dhe kthyer në toka bujqësore.
Por ndryshe nga pamjet e bukura që të ofroheshin nëpërmjet kartolinave të kohës, ky aksion do të rezultonte fatal për kostot që i shkaktoi natyrës dhe biodiversitetit.

Nën kërcënimin e mungesës së bukës, u zhdukën pyjet ekzistuese dhe u mbollën kryesisht me agrume.
Nën argumentin e hapjes së tokës së re të bukës në vitet 70-80 u zhdukën rreth 300,000 ha pyje ose rreth 25% e sipërfaqes pyjore të vendit.

Por i gjithë ky aksion rezultoi nul, pasi jo vetëm që nuk u kthyen dot në toka bujqësore, por edhe sot e kësaj dite ato toka janë të degraduara, madje edhe në zërin kadastral janë të regjistruara si të tilla dhe nuk janë marrë në dorëzim.

“Ishte një aksion i madh për ndërtimin e tarracave me qëllimin e vetëm për të shtuar sipërfaqen e tokës bujqësore. Çfarë kemi bërë? Kemi bërë që nga njëra anë kemi prishur resurset tokësore ekzistuese, të gjithë ekosistemin natyral që ishte i destinuar për zhvillimin e pyjeve, sektorit të blegtorisë, dhe kemi pretenduar që kemi sipërfaqe toke, por që kemi dështuar. Kjo ka çuar në shtimin e erozimit, prishje të ekosistemit natyral dhe mospërdorimin e tyre për kulturat bujqësore” u shpreh Fatbardh Sallaku, Rektor në Universitetin Bujqësor.

Top Channel