Babai i studentes greke Eleni Topaloudi, e cila u dhunua dhe u vra në nëntor të vitit 2018 në Rodos ka reaguar për faktin që çështja do të rihapet në Gjykatën e Apelit pas kërkesës së autorëve.
Ai ka folur për median greke real.gr duke thënë se çështja do të rihapet më 14 shkurt të vitit të ardhshëm. E gjithë kjo i kujton dhimbjen që përjetoi Topaloudi, e cila ishte me aftësi të kufizuara dhe ndërroi jetë në moshën 20-vjeçare.
“Ndërsa çështja do të shkojë në gjykatë, ne si prindër përjetojmë përsëri dhe përsëri vështirësitë tragjike që ka përjetuar fëmija ynë. Ne e dinim që çështja do të shkonte në Gjykatën e Apelit. Ajo që më interesoi mua dhe nënën e Elenit ishte vendimi i shkallës së parë. Pas një beteje të gjatë dhe të vështirë gjyqësore, ne u ndjemë se e kishim kryer detyrën, nëse mund të themi se ekziston kjo ndjenjë për prindërit që kanë humbur fëmijën e tyre”, tha babai.
Më 1 dhjetor të 2018, 21-vjeçari shqiptar dhe një tjetër 23-vjeçar thuhet se kanë bindur vajzën e re për një udhëtim në një plazh. Më pas, e kanë detyruar atë me forcë të kryejë akte të turpshme, përpara se ta përdhunonin dhe trupin e saj ta hidhnin në shkëmbinj në det.
Në gjykatë, dy palët u paraqitën pa asnjë pendim duke pretenduar se ata kurrë nuk e përdhunuan Eleni Topaloudi, por se vajza shkoi me ta me vullnetin e saj të lirë. Ndërsa për vrasjen, ata po ia hidhnin njëri-tjetrit. Roditi, sot 26 vjeç bëri “veprime” të ndryshme gjatë gjykimit duke vështirësuar procesin pasi pretendonte se kishte probleme serioze psikologjike.
Top Channel