Me vetëm 10 persona në sallë, si urdhërohet në masat anticovid, gjykata kushtetuese shqyrtoi padinë e Partisë Republikane që kërkon shpalljen si të papajtueshëm të vendimit numër 633 që ndalon grumbullimet e për rrjedhim prek fushatën zgjedhore.
Publiku e ndoqi seancën online teksa shtatë gjyqtarët kushtetues pyetën përfaqësuesin e Partisë Republikane nëse është e mundur që tubimet të mbahen online?
“Natyrisht që kjo është e pamundur”, u përgjigj avokati, sipas të cilit kuptimi i fushatave zgjedhore është takimi përballë me elektoratin e për këtë shteti duhet të garantojë barazinë ne konkurrim. Pyetjes se si është vepruar deri më tani dhe a ka parti të tjera opozitare që ankohen për vështirësi në këtë fushatë gjatë pandemisë, pala paditëse i tregoi shpëtimin nga ‘Facebook’ ku po prezantohen platformat politike . Përfaqësuesi i PR-së tha se në mungesë të shanseve te barabarta përmes mediave, edhe parti të tjera opozitare kanë shprehur ankesën.
Por ankesa më e madhe lidhet me krijimin efektivisht të pabarazisë mes partive politike në fushatë zgjedhore dhe post zgjedhore pasi krijon avantazh të padrejtë për Partinë Socialiste, thuhet më tej në kërkesë padi.
Përfaqësuesi i kryeministrisë këmbënguli se masat anticovid synojnë ruajtjen e shëndetit dhe të jetës së qytetarëve dhe nuk kanë si qëllim të prekin të drejtat politike. Brenda dy ditëve palët duhet të dërgojnë parashtrimet me shkrim dhe më pas gjykata do të shprehet me një vendim.
Top Channel