Nis verifikimi i dëmeve pas motit të keq në Elbasan, 30 banesa dhe 20 ambiente të prekura

13/09/2026 13:23

Katër grupe pune kanë nisur mëngjesin e sotëm verifikimin dhe inventarizimin e dëmeve të shkaktuara nga moti i keq i një dite më parë në Elbasan.

Nga verifikimet paraprake rezulton se janë prekur 30 banesa dhe 20 bodrume, të cilat përfshijnë ambiente biznesi dhe parkime.

Grupet e punës po dokumentojnë çdo dëm të shkaktuar, nga dëmtimet e pajisjeve elektroshtëpiake deri te dëmet e tjera të evidentuara në banesa.

Paralelisht, grupet e ndërhyrjes vijojnë punën për pastrimin e inerteve dhe largimin e ujit në zonat ku ende ka prani të tij.

Ndërkohë, po vijon edhe zhbllokimi i kolektorëve nga mbetjet e sjella nga prurjet e ujit, me qëllim rikthimin e situatës në normalitet.

Top Channel