Gjykata aprovon dëmshpërblimin $650mln kundër Facebook për shkelje të privatësisë

27/02/2021 20:55

Rreth 1.6 milionë përdorues të Facebook do të marrin secili rreth $345 pasi rrjeti gjigand ka bërë etiketimin e fotove të tyre pa leje.

Një gjykatës federal ka aprovuar sot një paketë dëmshpërblimi $650 milionë kundër Facebook për shkelje të ligjeve të privatësisë, me anë të etiketimit automatik të fotove personale me emrin e personit pa lejen e tyre, si dhe shkelje të tjera me të dhënat biometrike të përdoruesve.

Gjykatësi James Donato aprovoi marrëveshjen e dëmshpërblimit për padinë kolektive të depozituar në Illinois të SHBA, prej vitit 2015.

Donato e quajti atë një nga marrëveshjet më të mëdha të dëmshpërblimit për shkelje të privatësisë me anë të teknologjisë së njohjes së fytyrës.

“Marrëveshja do t’i japë në dorë $345 secilit qytetar që kërkon të kompensohet, në një fitore madhore për konsumatorët dixhitalë, në fushën e kontestuar ashpër të privatësisë personale”, tha ai.

Jay Edelson, prokurori nga Chicago që bëri padinë, tha për të përditshmen vendase ‘Chicago Tribune’ se çeku i parave do të jetë në email-in e përdoruesve brenda dy muajsh, nëse vendimi nuk apelohet.

“Jemi të lumtur që kemi një marrëveshje në mënyrë që të vazhdojmë përpara me çështjen, e cila është në interes të komunitetit dhe aksionerëve tanë”,  tha rrjeti gjigand Facebook në një deklaratë, selia kryesore e të cilit gjendet në San Francisco.

Padia akuzonte rrjetin social për shkeljen e një ligji të veçantë të privatësisë në Illinois, i cili ndalon përdorimin e teknologjisë së njohjes së tipareve të fytyrës për skanimin e fotove të përdoruesve dhe me pas ruajtjes së të dhënave.

Ligji i këtij shteti i quajtur “Për Privatësinë e Informacionit Biometrik” i jep të drjetë klientëve të padisin kompanitë që grumbullojnë të dhëna të tilla si fytyrat e personave apo shenjat e gishtërinjve.

Çështja kishte ardhur në akumulim e sipër deri në ngritjen e padisë kolektive në Kaliforni.

Prej atëherë Facebook ka ndryshuar sistemin e etiketimit të fotove në rrjet, te njohur ndryshe si “tag”.

FOTO GALERI
1/3
Ligji në Illinois ndalon përdorimin e teknologjisë së njohjes së tipareve të fytyrës për skanimin e fotove të përdoruesve

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA