Një banor në qytetin e Fierit është ankuar për shkak të çarjes së tubacionit dhe rrjedhjes së ujit duke krijuar probleme në lagjen “Mbrostar Ferko”.
Ai shprehet se problemi ka nisur që prej muajit nëntor dhe që prej asaj kohe nuk është bërë asnjë ndërhyrje.
Banori ka sjellë pamjet në “Ti raporton” në Top Channel duke kërkuar që gjithçka të zgjidhet dhe rruga të rregullohet për t’i dhënë fund problemeve të tyre.
“Përshëndetje, jam një qytetar nga qyteti i Fierit. Kjo video tregon një nga problemet shqetësuese që kemi. Që në muajin nëntor, një firmë bëri punime shumë të dobët në rrjetin e ujësjellësit. Jemi në muajin shkurt dhe asnjë rregullim nuk është bërë, megjithëse janë lajmëruar për çarje të tubacionit dhe uji vazhdon të rrjedh duke krijuar probleme në lagjen Mbrostar Ferko, rruga :Novruz Pashai. Kryetari i Bashkisë i ka bërë bllok problemeve të qytetarëve, nuk mund të komunikosh.
Ju lutem na ndihmoni, që ky problem të zgjidhet, dhe rruga të na rregullohet. Edhe ne kemi të drejtë të jetojmë në kushte normale, paguajmë çdo taksë dhe nuk marrim asnjë shërbim”, thuhet në mesazhin e banorit.
Top Channel