Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do t’i kthehen, “në pajtueshmëri të plotë”, marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 në mes të Iranit dhe fuqive botërore, nëse Teherani bën të njëjtën gjë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë në Konferencën për Çarmatim, të sponsoruar nga Kombet e Bashkuara, se Uashingtoni shpreson në zgjerimin dhe fuqizimin e marrëveshjes bërthamore, të cilën e ka braktisur administrata e kaluar amerikane më 2018.
“Duke punuar me aleatë dhe partnerë, ne do të synojmë të zgjerojmë dhe fuqizojmë marrëveshjen bërthamore dhe të adresojmë fusha tjera që na shqetësojnë, përfshirë qasjen destabilizuese të Iranit në rajon dhe zhvillimin e raketave bërthamore”.
Më herët gjatë konferencës, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i ka bërë thirrje Iranit që të veprojë në përputhje me marrëveshjen, pasi kjo gjë është në interesin e Iranit.
Maas ka theksuar gatishmërinë e presidentit amerikan Joe Biden për t’iu ribashkuar marrëveshjes, duke thënë se “është në interesin më të mirë të Iranit që të ndryshojë kursin, para se marrëveshja të dëmtohet pa kthim mbrapa”.
Maas ka thënë se Gjermania pret “transparencë dhe bashkëpunim të plotë” nga Irani me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Atomike, shefi i së cilës Rafael Grossi, është kthyer më 21 shkurt nga një udhëtim nga Teherani.
Irani ka përshëndetur vizitën e Grossit, dhe marrëveshjen e përkohshme për inspektim në zonat bërthamore e ka konsideruar “arritje të rëndësishme”.
Kjo marrëveshje ka ndikuar në shtyrjen e afatit për të ruajtur marrëveshjen, e cila është në prag të shkatërrimit, prej kur ish-presidenti amerikan Donald Trump ka larguar Shtetet e Bashkuara nga ajo.
Teherani është duke kërkuar që Uashingtoni të largojë të gjitha sanksionet që ka vënë Trump më 2018, ndërkohë që Uashingtoni u ka bërë thirrje autoriteteve iraniane që fillimisht t’iu rikthehen të gjitha zotimeve që kanë bërë në marrëveshje.
“Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të sigurohen që Irani nuk prodhon kurrë armë bërthamore”, ka thënë Blinken.
“Diplomacia është rruga më e mirë për të arritur synimet”.
Si kundërpërgjigje, Parlamenti i Iranit, që dominohet nga konservatorët, ka kërkuar që ky shtet të kufizojë disa inspektime nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, duke nisur nga 23 shkurti.
Top Channel