Moti i keq/ Përmbyten 300 ha tokë bujqësore në Lezhë, rrëshqitje dherash në rrugën Rrëshen-Bukmirë

11/02/2021 10:20

Moti i keq ka “pushtuar” Shqipërinë. Reshjet e shiut me intensitet mesatar dhe të dobëta kanë përfshirë edhe Lezhën gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të sotëm.

Si pasojë e reshjeve të rëna mbrëmë raportohet se janë përmbytur rreth 300 ha, sipërfaqe të tokës bujqësore në zona depresive, në ish-këneten Torovicë, nj.ad. Balldre, bashkia Lezhë.

Sasia e reshjeve të rëna në shkallë qarku është rreth 40 mm. Hidrovoret janë në punë me kapacitet të plotë për evadimin e ujërave, konkretisht niveli i ujit është në rreth 10-35 cm mbi kuotat normale, por pa probleme.

Lumenjtë, kanalet e ujerave të larta ato të dyta dhe të treta, janë rreth 25-45 cm mbi kuotat normale, por pa problem.

Rezervuaret, janë në monitorim, veprat e marrjes janë të hapura për shkarkimin. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, është normal.

Rrugët nacionale, rurale e bashkiake në tërësi janë të kalueshme.

Problem paraqet rruga rurale Rrëshen-Bukmirë, sepse ka pasur rrëshqitje të dherave dhe ulje të shtratit të rrugës, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Rruga po mirëmbahet nga bashkia Mirditë.

Top Channel