Rindërtimi në Durrës/ Rama flet për programin e strehimit: Çdo kurorë merr shtëpinë e vet…

09/02/2021 18:14

Këtë të martë kryeministri Edi Rama ka qenë në Durrës, ku po zhvillon një bashkëbisedim me qytetarët, lidhur dhe me situatën e rindërtimit.

Rama ka folur edhe për një program strehimi, ku do të përfitojnë shtëpi çdo kurorë që kanë jetuar së bashku në një shtëpi përpara se shtëpia e tyre të dëmtohej nga tërmeti.

Kryeministri ka folur edhe për 683 familjet e strehuara në çadra, që edhe pse nuk kanë zgjedhur të strehohen si familjet e tjera ata sërish marrin bonusin e qirasë.

“Me programin e rindërtimit kemi bërë edhe një program strehimi. Nëse në rast se në një shtëpi që është prishur dhe ka pasur 2 apo tre kurorë, ne ndërtojmë 2, 3 shtëpi. Çdo kurorë merr shtëpinë e vet dhe nuk i kthejmë më në shtëpinë e vet, kështu përfitojnë një hapësirë më të madhe se ajo kur ishin bashkarisht.

Për pjesën e pallateve dhe në tërësi i kam kërkuar bashkive të bëjnë një kontratë me të gjithë ata që presin të marrin një apartament, që mund mund të ndërtohen sa hap e mbyll sytë. Sapo kishim filluar punën përgatitore pas tërmetit na hyri në mes virusi, megjithëse nuk ndalëm punën, pati një shtyrje. I sfidoj të gjithë që të më tregojnë një vend që ka mundur të rindërtojë më shpejt dhe nga ana tjetër, ndërkohë që rindërtojmë nuk kemi lënë asnjë familje përjashta.

Të gjitha familjet e Durrësit që për shkak të tërmetit nuk janë ende sot në apartamentin e ri dhe po presin të ndërtohet, besoj se deri në fund të prillit dhe në fillim të maj, 41,42,43 do të jenë të gjithë të përfunduar, të gjithë do të jenë nëpër apartamente. Ne kemi pasur në çadra 11 mijë e 200 familje, sot kemi 683 familje që marrin çdo muaj bonusin e qirasë. Është zgjedhja e tyre që të rrinë në çadër, kanë tokën, kanë gjënë e gjallë dhe kanë distanca të largëta, por marrin një për një bonusin e qirasë njësoj sikur këta të tjerët që janë nëpër apartamente”, tha Rama. 

Top Channel