Shifrat e larta të infektimeve nga Covid-19 në Durrës/ Shtohen kontrollet në shkolla, fasoneri, call-center e kafene

08/02/2021 16:47

Durrës/ Kontrollet për ata që shkelin masat anti Covid janë shtuar në fasoneri, call-center, shkolla dhe bar-restorante.

Prefekti i qarkut Durrës Roland Nasto gjatë një takimi të zhvilluar të hënën me drejtues rajonalë të institucioneve të shëndetit publik, policisë, AKU-së etj., kërkoi masa të shtuara për përmirësimin e situatës së krijuar nga shtimi i ndjeshëm i numrit të personave të infektuar dhe rënia e zbatimit të masave nga subjektet dhe qytetarët.

Në takim morën pjesë drejtues të Policisë,  Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, AKU-së dhe Inspektoriatit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

Durrësi është një nga qarqet me numër të lartë të infektuarish, ndaj Nasto vuri theksin në situatën problematike të krijuar nga Covid-19, në papërgjegjshmërinë, shkeljen e rregullave, mosrespektimin e protokolleve dhe kërkoi bashkëpunim midis institucioneve për rritjen e efektivitetit të punës, menaxhimin e situatës, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për zbatimin e rregullave dhe protokolleve shëndetësore. Gjatë takimit u lanë disa detyra, zbatimi i të cilave do të shihet në ditët në vazhdim.

Nga institucioni i Prefektit dhe Task-Forca Anti-Covid u deklarua se do të monitorohet dhe kontrollohet në mënyre intensive zbatimi i masave dhe akteve normative, ndërkohë prefekti i qarkut i bën thirrje banorëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin dhe gjurmimin e çdo simptome e më pas të vijojnë trajtimin ambulator në banesë; mbajtjen e barrierës mbrojtëse, higjienës vetjake dhe shmangies së  grumbullimeve.

Detyrat konkrete:

1.Të rritet më shumë kërkesa ndaj subjekteve dhe individëve për zbatimin e masave anti Covid-19.

2.Prezencë e shtuar e Policisë së Shtetit në grupet e Task-Forcës.

3.Zbatimi rigoroz i masave dhe rregullave anti-Covid dhe vëmendje e shtuar në shkolla, biznese, fasoneri, call-center, kafene, restorante, tregje, markete etj.

4.Shtimi i kontrolleve nga grupet e Task-Forcës në oraret e pasdites dhe të mbrëmjes me prezencë të Policisë së Shtetit.

Top Channel