Në pranga për zhvatje ndaj pacientëve të infektuar me Covid-19/ Gazetarja Hoxha: Prokuroria paralajmëron hetime të tjera

08/02/2021 21:17

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka zbuluar në emisionin “Open” se si funksiononte skema e zhvatjes së parave nga infermieret dhe sanitaret drejt personave të infektuar me Covid-19, të shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, njohur ndryshe si Covid 2.

Gjithçka nisi pasi u zbulua skandali i Tire Alldërvishit dhe më pas u arrestuan 3 infermiere e një sanitare tjetër, të akuzuar si bashkëpunëtore në zhvatjen e parave.

“Skema është zbuluar pas faktit të bërë publik në një emision investigativ dhe bisedat në telefon dhe kështu kanë shkuar tek infermieret dhe sanitarët. Prokuroria paralajmëron edhe hetime ndaj shtetasve të tjerë. Në celularin e Tire Alldervishit shihen porosi që lë tek infermierët dhe sanitarët e tjerë dhe kanë zbuluar emrat që përmenden në këto biseda janë pacientë të shtruar për një periudhë kohe të caktuar. Në një bisedë, Tire Alldërvishi e ka me një person që e ka quajtur Sheqere kati i tretë.

Bisedat vazhdojnë dhe me një infermiere të dytë që lë porosi, duke ndërruar turnet secila linte porosi dhe në një moment thonë “S’ka gjë se i ndajmë të gjitha”, mes Mirës, e cila është arrestuar dhe Tire Alldërvishi”, tha Hoxha.

E pyetur se si i merrnin paratë nga familjarët apo vetë pacientët, Hoxha sqaron:

“Të dyshuarat shfaqen në hyrje të spitalit dhe vetëofrohen tek familjarët për ushqime apo ndërresa. Familjarët në shenjë falënderimi i japin bakshishe deri në 10 mijë lekë të reja dhe më pas shkëmbime numrash telefoni. Në një moment, të dyshuarat thonë në biseda të zbardhura në telefonin e Tire Alldërvishit dhe dalin në një moment kur një prej të dyshuarave thotë që të mos bëjë asgjë më shumë se nuk kanë marrë para. Sipas bisedave të zbardhura deri tani, njëra është e pakënaqur se ka marrë vetëm 10 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë që prokuroria është duke paralajmëruar dhe hetime të tjera.”

Top Channel