Moti i keq pengon tragetet/ Në Vlorë gjendet një 30-vjeçar i mbytur në det

08/02/2021 15:13

Gjiri i Durrësit është përfshirë nga moti i keq, duke cenuar aktivitetin e sektorit të peshkimit dhe përpunimit të anijeve në portin detar më të madh të vendit.

Kushtet atmosferike kanë ndikuar pjesërisht dhe në lëvizjen e trageteve në drejtim të portit italian të Barit. Natën e kaluar u nis vetëm një nga dy tragetet e linjës, ndërsa trageti tjetër u nis rreth orës 06.00 të mëngjesit të së hënës. Tragetet nga Bari lundruan normalisht duke regjistruar vonesa të vogla mëngjesin e sotëm. Sipas kapitenerisë së Durrësit, lundrimi është pezulluar vetëm për mjetet e peshkimit. Në det të hapur regjistrohet forca 6 ballë, ndërsa në gjirin e Durrësit situata është më e qetë.

Si pasojë e motit të përkeqësuar në portin e Vlorës prej ditës së diele është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla. por trageti i linjës Vlorë Brindisi nuk i ka ndërprerë udhëtimet.

Ndërkohë era e fortë  paraditen e kësaj të hëne është shoqëruar me reshje të dendura shiu por dhe breshër.

Ndërkohë gjatë mëngjesit në afërsi të Petroliferës në Vlorë, është gjetur një trup i pajetë në breg të detit. Viktima është një mashkull 30 vjeçar për të cilin policia po heton rrethanat e mbytjes.

Top Channel