Një reagim i ashpër ka përfshirë vendet e Bashkimit Europian pas asaj që po konsiderohet edhe një fiasko e procesit të vaksinimit, me protesta shpesh të dhunshme që kanë shpërthyer në Holandë, një kukull të ngjashme me kryeministrin që u dogj në Danimarkë, dhe zemërimit të madh në Poloni.
Letonia, më e madhja mes tre ish-shteteve sovjetike në Balltik, pranon se vaksinimi i shtetasve të saj nuk do të nisë para prillit. Vetëm 30 doza u dhanë të enjten për një total prej jo më shumë se 23 mijë vaksinash.
Në Poloni janë vaksinuar vetëm 1.1 milionë persona në mes të një popullate prej 38 milionë banorësh. Radhët e gjata në qendrat mjekësore çuan në protesta në Varshavë.
Në Danimarkë, zemërimi për shkak të masave kufizuese doli jashtë kontrollit në Kopenhagen, ku u dogj edhe një kukull e kryeministres Mette Fredriksen.
Në Irlandë ndërkohë ka zemërim pasi shifrat e vaksinimit në veri, janë pesë herë më të larta se ato në republikën e Irlandës. Lituania në anën tjetër, nuk sheh mundësi për të filluar vaksinimin masiv deri në korrik. Deri më tani afro 92 mijë vetë janë vaksinuar në një popullatë prej 2.8 milionësh.
Estonia ndodhet në të njëjtën situatë por pavarësisht se autoritetet janë nën presion për të miratuar vaksinën ruse, autoritetet planifikojnë ti qëndrojnë besnik BE-së. Në Bullgari kanë shkuar vetëm 40 mijë doza vaksine ndërkohë që vendi ka një nga shkallët më të larta të vdekshmërisë në bllok.
Gjermania është zemëruar shumë me kompanitë që prodhojnë vaksinat për shkak të mungesës së këtyre të fundit ndërsa Rumania ka vendosur të vonojë vaksinimin e grupeve në rrezik dhe punonjësve të shëndetësisë.
Hungaria është e vetmja që ka dalë nga linja duke miratuar vaksinën ruse Sputnik V dhe atë kineze Sinopharm. Greqia dhe Qipro ndërkohë kanë kërkuar ndihmë nga Izraeli. Italia është të paktën 10 ditë prapa në agjendën e vaksinimit dhe ka paralajmëruar masa ligjore kundër prodhuesve të vaksinës ndërsa Spanja ka pranuar se me këto ritme, 70 për qind e popullatës do të mund të vaksinohet deri në 2023.
Instituti Pasteur në Francë, u detyrua të hiqte dorë nga zhvillimi i një vaksine pas dështimit në teste duke e vendosur presidentin Macron në siklet ndërsa Holanda, është përballur me skena të shëmtuara në qytete të ndryshme, ku janë djegur makina e është sulmuar policia gjatë protestave kundër masave kufizuese. Vetëm 215 mijë vetë janë vaksinuar në një popullatë prej 17.3 milionë banorësh.
Top Channel