Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë sjellë përmbytje në disa zona të vendit.
Aksi rrugor Vlorë-Orikum vazhdon të ketë problem, Nga reshjet e shumta sot rruga ka rënë dhe lëvizja e mjeteve kalohet në një aks. Në aksin nacional Vlorë – Orikum në vendin e quajtur “te Zhironi”, 7 km nga qyteti i Vlorës , rruga ka nisur të çahet prej disa ditësh në një pjesë të shtratit të saj menjëherë pas reshjeve të fundit. Kjo rrugë është kontraktuar për 13.7 milionë euro që të mirëmbahet nga kompania “Salillari”. Punonjësit e kompanisë “Salillari” tentuan “ta rregullojnë” duke hedhur zhavorr dhe beton në kanalin e sapo hapur të rrugës së çarë por nuk funksionoi .
Reshjet e shumta të shiut në Elbasan kanë sjellë prurje të përrenjve. Gjatë mbrëmjes janë përmbytur tre shtëpi, por me ndërhyrjen e zjarrfikësve situata është rikthyer në normalitet. Aktualisht po punohet ne segmentin Mollas-Frashër pasi ka pasur bllokim të rrugës nga rënie e një masivi dheu. Gjithashtu edhe rruga Paper-Pajun është e bllokuar e po punohet. Në Muriqan, Nj.A Gjergjan ka përmbytje gati 2 ha tokë bujqësore dhe 1 ha përmbytje në Nj.A Paper. Në Nj.A Hotolisht e Nj.A Polis në bashkinë Librazhd ka probleme me energjinë elektrike.
Në Shkodër deri më tani janë përmbytur 1330 hektarë tokë. Rruga e Obotit është e kalueshme vetëm me mjete të larta. Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë dhe në vendin e quajtur Harku i Bërdicës në fshatin Bërdicë e Sipërme.
Disa banesa janë përmbytur edhe në Shijak pasi lumi Erzen ka dalë nga shtrati mëngjesin e sotëm për shkak të reshjeve të dendura të shiut gjatë orëve të natës.
Rikthimi i reshjeve të dendura të shiut ka sjellë problem edhe në Sarandë. Në segmentin Ura e Kranesë – Syri i Kaltër po punohet me mjete dhe njerëz për pastrimin e plotë të dherave. Rruga është e hapur për qarkullimin. Në segmentin Lukove – Bunec ka rënie dherash në rrugë. Aty kalohet vetëm në një korsi. Në segmentin Piqeras- Borsh ka rënie dherash në kënete. Rrëshqitja e Borshit vazhdon të jetë aktive. Si pasojë e shirave me intesitet shumë të lartë, rreshqitja tek Nimfa është agravuar edhe më shumë.
Reshjet e një nate më parë kanë shkaktuar sërish probleme pranë pallatit 5-katësh në lagjen “Punëtori” në Gjirokastër i njohur tashmë prej ngjarjes së tre viteve më parë ku këtu u shënua një rrëshqitje masive shumë pranë pallatit.
Aksi rrugor Fier-Ballsh është bllokuar nga dherat si pasojë e reshjeve të shumta. Tek vendi i quajtur kthesa e Visokës, rreth orës 02.00 një pjesë e dheut ka shkarë duke bllokuar njeh pjesë të rrugës.
Top Channel