Mësimi në universitete do të vazhdojë të zhvillohet online për shkak të një tendence të rritjes së rasteve me covid këtë fillim viti.
Ky ishte vendimi i Komitetit të Ekspertëve pas mbledhjes pasditen e sotme nisur nga analiza e situatës në vend. Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha se ndenja në konvikte e shton infeksionin dhe ato mund të kthehen në vatra potenciale.
“Komiteti ka ndjekur me vëmendje zhvillimin e situatës në vend dhe kudo në botë që të propozojmë në kohen e duhur masat për frenimin e epidemisë. Nga 6 janari e tani kemi incidencë rritje që se kemi pasur në dhjetor. Kemi parë më me vëmendje se kjo rritje është shoqëruar me rritje të moshave 15- 24 vjeç. Në mbledhjet që kemi zhvilluar kemi vendosur që krahas masave aktuale edhe mësimi në universitet të vazhdojë online, se edhe ndenja në konvikte e shton infeksionin mund të kthehen në vatra potenciale. Dihet që Tirana ka përqendrimin më të lartë të popullsisë. Edhe këta studentë që kemi në Tiranë shkojnë më vonë në shtëpitë e tyre që bën zgjerimin e infeksionit, prandaj e zgjatëm vendimin për mësimin online”, tha kryetarja e Komitetit të Ekspertëve.
Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu theksoi se tonë shëndeti është i pari në majën e piramidës së vlerave.
“Për në të gjithë vendimmarrjen tonë shëndeti është i pari në majën e piramidës së vlerave dhe vendimet tona janë marrë me qëllim ruajtjen e shëndetit publik. Duke pasur këtë si prioritet kemi gjithë arsyet për të dhënë argumentet në favor të çdo vendimi që marrim”, tha Manastirliu.
Top Channel