Njerëzit që shërohen nga koronavirusi kanë një nivel të ngjashëm mbrojtjeje kundër infektimeve të ardhshme si ata që marrin vaksinën anticovid, të paktën për pesë muajt e parë.
Sipas një studimi të kryer nga Public Health England, një infeksion i kaluar ofron 83 për qind mbrojtje nga riinfektimi për të paktën 20 javë. Por ekspertët paralajmërojnë se disa njerëz infektohen sërish me covid 19 dhe mund të infektojnë edhe të tjerët.
Zyrtarët nënvizojnë po ashtu se njerëzit duhet të vazhdojnë të ndjekin rregullat e përcaktuar në kuadër të luftës kundër koronavirusit, pavarësisht nëse e kanë patur apo jo virusin.
Sudan Hopkins, që ka udhëhequr studimin, tha se rezultatet ishin inkurajuese, duke sugjeruar që imuniteti zgjat më shumë nga sa disa njerëz druanin por mbrojtja nuk duhet marrë si e mirëqenë.
Ka patur shqetësim të veçantë për disa raste riinfektimesh që kishin nivele të larta virusi, edhe pa simptoma, dhe që ishin në rrezik t’ia kalonin të tjerëve. Nga qershori deri në nëntor të 2020, thuajse 21 mijë punonjës të kujdesit shëndetësor në Britani janë testuar rregullisht për të parë nëse ata e kishin aktualisht virusin apo e kishin patur atë më parë.
Nga ata që nuk kishin asnjë antitrup, çka sugjeron se nuk e kanë patur kurrë atë, 318 u prekën gjatë kësaj kohe. Por mes 6614 personave që kishin antitrupa, shifra ishte vetëm 44.
Top Channel