Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj tha mbrëmjen e sotme e ftuar në emisionin “Open” në Top Channel se 97% e shqiptarëve paguajnë më pas se 7 vite më parë.
Ajo theksoi se 97% e shqiptarëve kanë ulur barrën fiskale të tyre, ku qytetarët me një pagë nën 30 mijë lekë është 0 lekë. Denaj tha se me ardhjen në qeveri të PS-së u mendua më shumë për shqiptarët dhe ata tashmë paguajnë më pak, pavarësisht goditjeve që mori vendi.
“Do ta filloj me vitin 2013 të kujtojmë se politika e taksimit progresiv ka qenë para marrjes së votëbesimit. Për 97% të shqiptarëve është një fakt. Vendosëm një taksë progresive që për të gjitha pagat nën 30 mijë lekë ishte 0 lekë. E zeruam në 2018, bëmë një përmirësim. Një pagë mes 80 mijë nëse i zbresim 30 mijë. 97% e shqiptarëve kanë ulur barrën fiskale të tyre. Taksë e sheshtë 9%, u vendos që 30 mijëshja do të përjashtohej nga taksimi. Diferenca me çfarë paguhej në të kaluarën dhe me çfarë paguhej tani është 160 lekë. Diferenca është vetëm një kafe. Përfitimin më të madh e kanë personat me të ardhura më të larta. I gjithë efekti do të ishte 10.8 miliardë lekë në këtë taksë. 97% e shqiptarëve e kanë taksën më të ulët se sa ishte”, tha Denaj.
Vendosja e taksave ka krijuar një debat në vendin tonë për të vendosur një nivel të qëndrueshëm mes pagave dhe faturave që duhet të paguajnë qytetarët shqiptarë. Skema e taksës progresive mbi pagën jo vetëm që nuk ka rezultuar efektive në mbledhjen e të ardhurave, por madje ka rritur më tepër informalitetin.
Teksa jemi pak muaj para fushatës zgjedhore, dy partitë kryesore në vend, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë dalë me një plan ekonomik për qeverisjen e mandatit të ardhshëm.
Për kamerën e TCH, eksperti për ekonominë, Mateo Spaho tha se shumë prej tatimpaguesve po nëndeklarojnë pagat për të shmangur pagesën e taksës 23% për ata me të ardhura që kalojnë 150 mijë lekë. Aplikimi i një takes të sheshtë sipas tij do të thjeshtonte sistemin fiskal dhe do të rigjallëronte ekonominë.
Ndërsa Denaj më parë tha se dikasteri i Financave po zhvillon një analizë mbi taksën progresive pa dhënë më tepër detaje, por shtoi se paketa fiskale duhet të jenë më të qëndrueshme e afatgjata për të shmangur ndryshimet e shpeshta fiskale.
Top Channel