Albert Muça dhe Luan Hallulli, me profesion muratorë vendosën të rikonstruktojnë godinën pasi panë gjendjen e kishës. Fakti që dy besimtarë myslimanë nga Shqipëria ndërmarin këtë vendim tërhoqi vëmendjen e mediave italiane
Luan Hallulli rrëfen për “Shqipëria live”: “Ishte shumë spontane, po punonim te provinca aty, po suvatonim dhe dëgjuam disa besimtarë që po hynin në kishë dhe thoshin “O Zot, ku po futemi?!’. U bëmë kurioz dhe i pyetëm një ditë. Na kërkuan të hyjmë brenda. Ç’të shihnim, gjendje katastrofike, ishte e shkatërruar, si hynin për t’u lutur aty brenda. Kërkuam të bisedojmë me një përfaqësuese. I thamë nuk duam lekë, do ta bëjmë vetë“.
Provinca e Popolit është zonë ku nuk mungojnë tërmetet. Dëmtimit të kishës nga mosndërhyrja ndër vite i ishin shtuar edhe dëmet nga tërmeti.
Luan Hallulli thotë se janë angazhuar për një muaj me kohë të plotë që të restauronin kishën e San Rokos. Italianëve iu bëri përshtypje besimi i dy shokëve por Luani thotë se feja nuk na ndan. “Ne jemi vëllezër me të gjithë, pavarësisht besimit. Kemi rreth 30 vite këtu”.
Po ashtu ai tregon se ka dhënë kontributin për shqiptarët që jetojnë në provincën e Popolit. “Kam hapur edhe dy shkolla shqipe para 7 viteve. E kemi bërë në strukturën e shkollës italiane, ka klasa shqipe brenda shkollës italiane. Jemi një provincë e vogël, por këtu jetojnë mbi 230 familje shqiptare”.
Top Channel