FOTOT/ Elton Ilirjani shkëlqen në London Fashion Week, surprizon me daljen në argjend

24/09/2026 16:46

Pas Tokios, Seulit dhe Nju Jorkut, Elton Ilirjani vazhdon të zgjerojë prezencën e tij në skenën ndërkombëtare të modës. Këtë herë, ai u shfaq në London Fashion Week, ku mori pjesë në tre prezantime të ndryshme dhe solli në pasarelë një kombinim të veçantë mes stilit, ekstravagancës dhe artit.

Një nga paraqitjet më të spikatura ishte ajo në shfaqjen e Poet-Lab, e zhvilluar në një ambient industrial në East London. Një skenografi e pazakontë, ku ndërthureshin arkitektura urbane, teknologjia dhe lëvizja e trenave mbi hapësirën e eventit, krijoi atmosferën perfekte për një spektakël ndryshe.

Elton Ilirjani u shfaq dy herë në pasarelë, ndërsa dalja e tij e fundit tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve. Ai mbylli shfaqjen me një veshje spektakolare në ngjyrë argjendi, duke e kthyer momentin në një nga paraqitjet më të veçanta të tij gjatë këtij turi.

Surpriza e mbrëmjes ishte edhe prania e poetes Mimoza Ahmeti, e cila këtë herë u shfaq në një rol krejt tjetër, duke zbritur në pasarelë si modele.

Pjesëmarrja e Ilirjanit në London Fashion Week nuk u kufizua vetëm te Poet-Lab. Ai pati gjithashtu dy dalje në Global Fashion Collective, ku prezantoi krijime të një stilisti francez dhe të një stilisteje italiane nga Puglia, e njohur për realizimin e veshjeve të saj tërësisht me dorë.

Pas një serie paraqitjesh në disa prej kryeqyteteve më të rëndësishme të modës, Londra shënon një tjetër ndalesë të rëndësishme në turin ndërkombëtar të Elton Ilirjanit.

Top Channel