Lufta në Afganistan – konflikti më vdekjeprurës në botë që vazhdon ende – hyn në një fazë kritike në vitin 2021.
Shtetet e Bashkuara pritet t’i tërheqin të gjitha trupat nga Afganistani deri në maj. Kjo, si pjesë e një marrëveshjeje me talibanët që synon t’i japë fund luftës 19-vjeçare.
Por, ky vendim i mbetet presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden, i cili do ta marrë detyrën më 20 janar.
Nuk është e qartë nëse ai do ta respektojë marrëveshjen e bërë nga SHBA-ja dhe talibanët, gjatë administratës së presidentit Donald Trump, si dhe orarin e tërheqjes së trupave.
Vendimin e Bidenit e komplikon dështimi i talibanëve për të përmbushur disa kushte kryesore të marrëveshjes.
Ato përfshijnë premtimet për të zvogëluar dhunën dhe për të parandaluar rrjetin terrorist të Al Kaidës që të veprojë në tokën afgane.
Bisedimet e paqes midis përfaqësuesve të Qeverisë afgane dhe talibanëve në Katar – një tjetër pjesë thelbësore e marrëveshjes midis SHBA-së dhe talibanëve – gjithashtu janë përcjellë me probleme dhe kanë lëvizur me ritëm të ngadalshëm.
Gjasat që negociatorët afganë dhe talibanë të arrijnë një zgjidhje politike në vitin 2021, duken të pakta, marrë parasysh hendekun e madh midis palëve për çështjet kryesore dhe mungesën e kompromisit të treguar nga të dyja anët.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara në muajin shkurt, talibanët kanë intensifikuar sulmet kundër forcave afgane të sigurisë, me shpresën se do të forcojnë pozicionin në bisedime, duke shënuar fitore në fushën e betejës.
Por, duke sulmuar qytetet dhe autostradat kryesore, militantët kanë shkelur marrëveshjen me Uashingtonin për të zvogëluar dhunën. Forcat amerikane janë hakmarrë duke shtuar sulmet ajrore kundër talibanëve.
Sulmet vdekjeprurëse ajrore kanë provokuar luftë fjalësh midis ushtrisë amerikane dhe talibanëve, që pretendojnë se sulmet përbëjnë shkelje të marrëveshjes. Ushtria amerikane thotë se rezervon të drejtën – sipas marrëveshjes – për të mbrojtur forcat afgane të sigurisë që sulmohen nga talibanët.
Një studim nga një universitet amerikan, i publikuar më 7 dhjetor, ka treguar se ka pasur rritje të mprehtë të sulmeve ajrore, të kryera nga forcat e Qeverisë afgane, në periudhën korrik-shtator të këtij viti. Këto sulme, është thënë në studim, kanë çuar në rritje të numrit të viktimave civile.
Sipas studimit të kryer nga Universiteti Brown dhe Universiteti i Bostonit, 70 civilë afganë janë vrarë në tremujorin e tretë të këtij viti, krahasuar me 86 të vrarë në gjashtë muajt e parë të vitit 2020.
Vëzhguesit thonë se niveli i lartë i dhunës do të vazhdojë në vitin 2021, derisa talibanët ndjekin strategjinë e luftës dhe të bisedimeve.
“Është e domosdoshme për talibanët që të parandalojnë gjumin në sulme, në mënyrë që të tregojnë në Katar se ata kanë avantazh në fushëbetejë”, thotë Ted Callahan, ekspert për sigurinë në Afganistan.
Callahan pret të shohë një “kombinim të sulmeve të profilit të lartë – me viktima masive – kundër caqeve ushtarake, vrasje të shënjestruara në zonat urbane dhe përpjekje për të shkatërruar post-blloqe të ndryshme të sigurisë afgane”.
Nëse këto trende vazhdojnë gjatë dimrit, shton ai, atëherë në pranverë do të ketë sulme të koordinuara, në shkallë të gjerë, kundër kryeqyteteve të pambrojtura provinciale.
Talibanët pritet të forcohen edhe më shumë në fushën e betejës pas njoftimit të Pentagonit, në nëntor, për një zvogëlim të madh të pranisë amerikane në Afganistan.
SHBA-ja ka aktualisht rreth 5,000 ushtarë në Afganistan dhe numri i tyre do të përgjysmohet në mes të janarit. Ky do të jetë niveli më i ulët i pranisë amerikane që nga fillimi i luftës në Afganistan në vitin 2001.
Pjesa më e madhe e atyre trupave do të jetë pjesë e një force amerikane kundër terrorizmit, që lufton Al Kaidën dhe Shtetin Islamik (IS).
Të tjerët do të jenë pjesë e një misioni trajnues dhe këshillues, të udhëhequr nga NATO-ja.
Vëzhguesit thonë se zvogëlimi i trupave do ta kufizojë fushën e operacioneve amerikane në Afganistan, duke u dhënë militantëve avantazh në fushën e betejës dhe duke i dobësuar forcat afgane, të cilat mbështeten shumë te ndihma ajrore e SHBA-së, inteligjenca dhe logjistika e saj.
Sulmet e pamëshirshme të talibanëve kanë zbehur nivelin tashmë të ulët të besimit midis Qeverisë afgane dhe militantëve, në tryezën e negociatave.
E brishtë dhe thellësisht e ndarë, Qeveria e Afganistanit ka nisur negociatat si relativisht e dobët. Me gati gjysmën e vendit të kontrolluar ose kontestuar nga talibanët, Kabulit i mungon avantazhi ushtarak, i nevojshëm për të bërë pazare.
Negociatorët afganë dhe talibanë janë bllokuar vazhdimisht prejse kanë nisur bisedimet në shtator. Por, dy palët kanë arritur një marrëveshje më 2 dhjetor mbi rregullat dhe procedurat e bisedimeve.
Palët nuk kanë rënë ende dakord për agjendën e negociatave. Bisedimet për çështje thelbësore – përfshirë armëpushimin e përhershëm dhe një marrëveshje për ndarjen e pushtetit – duket se janë ende shumë larg.
Roland Kobia, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në Afganistan, ka thënë në një postim në Twitter më 30 nëntor se “dhuna e përzier” nga talibanët nuk është i vetmi faktor në “ngecjen dhe prishjen” e bisedimeve.
Ai i është referuar edhe “refuzimit kokëfortë për të bërë kompromis” dhe “pozicioneve sistematike maksimaliste”, të mbajtura nga Qeveria afgane dhe talibanët.
Talibanët e kanë bllokuar procesin duke refuzuar të lëvizin nga kërkesat e tyre për çështjet teknike, përfshirë këtu edhe shkollën e jurisprudencës islamike, që duhet të përdoret për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, është kritikuar për përpjekje për të bllokuar bisedimet, me shpresën se administrata e Bidenit nuk do t’i tërheqë forcat amerikane, ose do të rinegociojë kushtet e marrëveshjes për paqe midis SHBA-së dhe talibanëve. Kjo marrëveshje e ka përjashtuar Qeverinë afgane dhe është thënë se anon në favor të militantëve.
Analistët thonë se të dy këta skenarë nuk kanë gjasa, marrë parasysh mbështetjen e Bidenit për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.
Torek Ferhadi, analist dhe ish-këshilltar presidencial i Afganistanit, thotë se përparimi i fundit në bisedime është nxitur nga frika e Qeverisë afgane për “tërheqjen e shpejtë të trupave amerikane”.
Farhadi thotë se frika e Ghanit për të ardhmen e tij mund ta detyrojë atë të bëjë kompromise të mëtejshme në vitin 2021.
Nëse dhe kur bisedimet për paqe të shndërrohen në çështje thelbësore, talibanët ka të ngjarë të kërkojnë formimin e një qeverie të përkohshme neutrale, në të cilën do të përfshiheshin edhe ata.
Në mesin e figurave opozitare afgane ka mbështetje për një rregullim të tillë, por Ghani e ka kundërshtuar fuqishëm atë.
“Talibanët tani do të përpiqen të krijojnë ndarje brenda kampit të Kabulit dhe do të përpiqen të bëjnë një marrëveshje për bashkëqeverisje me partitë dhe personalitetet politike tradicionale, duke e lënë Qeverinë në një pozicion gjithnjë e më të tkurrur të përfaqësimit”, thotë Farhadi.
Analistët po ashtu thonë se shqetësimet e vetë talibanëve për politikën e ardhshme të SHBA-së, mund t’i detyrojnë ata të bëjnë kompromis.
Talibanët kanë frikë se administrata e ardhshme e Bidenit mund të ndryshojë drejtim dhe t’i mbajë forcat amerikane në Afganistan, nëse nuk bëhet përparim në bisedimet e paqes.
Analistët presin që Biden t’i përmbahet në masë të madhe marrëveshjes midis SHBA-së dhe talibanëve.
Megjithatë, besohet se ai do ta shtyjë tërheqjen e plotë ushtarake, marrë parasysh se administrata e tij do të bëjë një rishikim të politikave.
Vëzhguesit po ashtu thonë se Biden do të jetë më i rreptë se Trump në zbatimin e marrëveshjes, posaçërisht kur bëhet fjalë për zotimin e talibanëve për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Al Kaidën – një kërkesë thelbësore e SHBA-së që militantët nuk e kanë përmbushur ende.
Biden ka thënë se Uashingtoni duhet të tërhiqet nga Afganistani – dhe të mbajë atje një numër relativisht të vogël ushtarësh – për të siguruar se grupet e huaja terroriste nuk i sulmojnë Shtetet e Bashkuara nga Afganistani.
Në një raport në muajin korrik, Pentagoni ka thënë se Al Kaida mban “lidhje të ngushta me talibanët” dhe se ka një “interes të qëndrueshëm” për të sulmuar trupat amerikane.
Një raport i Kombeve të Bashkuara, i lëshuar në qershor, ka konstatuar se Al Kaida dhe talibanët “mbeten afër” dhe se grupi militant “është këshilluar rregullisht” me rrjetin terrorist, gjatë negociatave me Shtetet e Bashkuara, dhe “ka ofruar garanci se do t’i nderojë lidhjet e tyre historike”.
Shtetet e Bashkuara e kanë pushtuar Afganistanin në vitin 2001 dhe i kanë dëbuar talibanët, pasi ata kanë refuzuar t’i dorëzojnë udhëheqësit e Al Kaidës, që ishin përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Gati 3,000 njerëz janë vrarë në këto sulme.
Marrëveshja midis SHBA-së dhe talibanëve thotë se talibanët “nuk do të lejojnë asnjë nga anëtarët e saj, individë ose grupe të tjera, përfshirë [Al-Kaidën], të përdorin tokën e Afganistanit për të kërcënuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre”.
Por, marrëveshja nuk përfshin ndonjë zotim të qartë të talibanëve për t’i ndërprerë lidhjet me Al Kaidën.
Analistët thonë se Biden mund të kërcënojë me mostërheqjen e trupave të mbetura amerikane, nëse nuk ka ndonjë indikacion ose provë se talibanët i kanë dhënë fund bashkëpunimit me Al Kaidën.
Nëse shqetësimet e Bidenit nuk adresohen, analistët thonë se ai ka të ngjarë të mbajë një forcë të vogël kundër terrorizmit, që do të mbetej në Afganistan përtej tërheqjes ushtarake, edhe pse marrëveshja ekzistuese midis SHBA-së dhe talibanëve nuk e lejon një prani të vazhdueshme ushtarake të SHBA-së.
“Biden do ta favorizojë tërheqjen e shpejtë, duke mbajtur gjithashtu kapacitete të kundër-terrorizmit, kur shumica e trupave amerikane të largohen”, thotë Michael Kugelman, bashkëpunëtor në Qendrën Ndërkombëtare të Studiuesve Woodrow Wilson, në Uashington./REL
Top Channel