Nga data 25 Dhjetor deri ditën e zgjedhjeve qeverisë i ndalohet dhënia e kontratave publike të koncesionit, për të cilat nuk është bërë njoftim publik se do të zhvillohen, nuk janë vijim i një procedure koncesionare të nisur, apo nuk janë parashikuar për t’u financuar nëpërmjet buxhetit të miratuar të vitit zgjedhor.
Komisioni Rregullator pas dy shtyrje mbledhjesh ka pranuar të miratojë propozimin e opozitës jo-parlamentare.
Kjo masë bllokuese ndaj qeverisë është pjesë e dakordësisë së 5 qershorit, e cila është përkthyer në projektvendim nga KQZ.
Në katër muajt e ardhshëm Kryeministrit, Ministrave dhe kryetarëve të Bashkive nuk u lejohet të provojnë apo të mbështesin në publik masa favorizuese ndaj qytetarëve.
KQZ miraton unanimisht kategoritë e veprimtarive të ndaluara dhe rregullat për raportimin e veprimtarive publike nga institucionet.
Komisioni Rregullator shqyrtoi projekvendimin “Për rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve”.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi, në prezantimin e projektaktit theksoi rëndësinë e miratimit të tij, me qëllim marrjen e masave, monitorimit dhe parandalimit të veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe të administratës shtetërore, gjatë periudhës kohore 4 muaj para zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve, si dhe gjatë fushatës zgjedhore.
Komisioneri tha se dispozitat e këtij projektvendimi kanë si qëllim nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve dhe partive politike, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike që marrin pjesë në procesin zgjedhor, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime politike.
Pas shqyrtimit në parim dhe nen për nen, Komisioni Rregullator unanimisht vendosi miratimin e projekvendimit.
Gjithashtu, Komisioni Rregullator shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin “Për miratimin e rregullave dhe modaliteteve për llogaritjen e vlerës monetare të dhurimeve në natyrë ose shërbimeve, huave dhe kredive për qëllime zgjedhore ose politike të përfituara nga partitë politike dhe kandidatët gjatë fushatës zgjedhore”. Akti ka si qëllim përcaktimin e rregullave dhe modaliteteve për llogaritjen e vlerës monetare të dhurimeve në natyrë ose shërbimeve, huave dhe kredive për qëllime zgjedhore ose politike, të përfituara nga partitë politike dhe kandidatët gjatë fushatës zgjedhore.
Top Channel