Ekonomia amerikane u rrit me një ritëm rekord në tremujorin e tretë të vitit, njoftoi të martën Departamenti i Tregtisë. Por rritja duket se është ngadalësuar ndërsa afrohet fundi i vitit me përkeqësimin e krizës së koronavirusit.
Ekonomia u rrit me një ritëm vjetor prej 33.4 për qind gjatë një periudhe tre-mujore që përfundoi në shtator, ndikuar kryesisht nga një pakete ndihme prej 2.2 trilionë dollarësh që Kongresi miratoi në mars me qëllimin për të lehtësuar pasojat e pandemisë.
Rritja që pësoi ekonomia gjatë tremujorit të tretë të vitit shënoi një rimëkëmbje dramatike nga tkurrja e tremujorin e dytë me 31.4 për qind, më e mprehta e regjistruar që nga viti 1947, nxitur nga përkeqësimi i efekteve të pandemisë në fillimet e saj në mesin e muajit mars.
Ekonomia është tkurrur me 3.5 për qind krahasuar me fundin e 2019. Shpenzimet e konsumatorit, të cilat përbëjnë më shumë se dy të tretat e aktivitetit ekonomik në vend, ndihmuan në rimëkëmbjen që pësoi ekonomia në tremujorin e tretë të vitit. Por që nga ajo kohë konsumi ka rënë. Shitjet me pakicë shënuan rënie në muajt tetor dhe nëntor ndërsa të ardhurat familjare ranë me skadimin e një subvencioni javor mbi papunësinë financuar nga qeveria.
Me përkeqësimin e pandemisë është rritur dhe numri i largimeve nga puna.
Ndërkohë pas muajsh vonese, Kongresi miratoi të hënën një paketë me vlerë rreth 900 miliardë dollarë, që ndër të tjera përfshin një pagesë pagesa direkte për shumicën e amerikanëve si dhe një pagesë shtesë për ata që marrin pagesën e papunësisë.
Megjithëse fondet shtesë për stimulimin e ekonomisë, shumë ekspertë thonë se ajo do të ketë një ndikim të kufizuar, duke theksuar se ligji përjashton ndihmën për qeverinë shtetërore dhe lokale, buxhetet e të cilave janë goditur rëndë nga pandemia.
Top Channel