Ligji për regjistrin e llogarive bankare, moment kyç në formalizimin e ekonomisë

17/12/2020 14:48

Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi sot projektligjin “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”. Relatori Ervin Bushati gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se krijimi i një regjistri qendror të llogarive bankare është një domosdoshmëri për rritje të transparencës dhe sigurisë kombëtare.

“Sot miratojmë një ligj kyç për sa i përket, jo vetëm zhvillimit dhe formalizimit të ekonomisë por një momenti kur ne parandalojmë terrorizmin, rrisim sigurinë kombëtare dhe patjetër jemi në linjë me atë që ka qenë misioni ynë në marrjen e këtij mandati që është formalizimi i ekonomisë,” u shpreh Bushati.
Ligji i ri sipas deputetit socialist shënon një hap para në parandalimin e përdorimit të sistemit tonë financiar për pastrim parash dhe produktesh që burojnë nga vepra penale, parandalimin e financimit të terrorizmit dhe lehtësimin e procedurave të mbledhjes së detyrimeve tatimore në vend.
“Ka qenë një nga detyrimet e plotësuara për sa i përket rekomandimeve që bëhen për Moneyval. Ky regjistër i përqendruar do ketë aksesin e shumë institucioneve shtetërore që kryqëzojnë këto të dhëna për të rritur transparencën,” nënvizoi Bushati.

Top Channel