Kushtetuesja “blindon” sigurinë/ Pas protestave të dhunshme, tender 1.6 milionë lekë për alarmet kundër zjarrit

06/11/2026 13:28

Gjykata Kushtetuese po merr masat për mbrojtjen nga zjarri dhe vjedhjet. Pas protestave të dhunshme në Tiranë, Kushtetuesja ka rishpallur procedurën e tenderit në vlerë mbi një milion e gjashtëqind lekë pa TVSH, me kohë për dorëzimin e aplikimeve deri në 13 nëntor për vendosjen e një sistemi alarmi kundër zjarrit.

Në raportin teknik përcaktohet domosdoshmëria e pasjes së një sistemi wireless për sinjalizimin antizjarr, që garanton funksionimin pa ndërprerje edhe nëse godina mbetet pa energji elektrike. Godina e Gjykatës Kushtetuese me adresë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit specifikohet që është institucion i rëndësisë kritike ku siguria e jetës, pronës publike dhe vazhdimësia e funksioneve shtetërore nuk lejon asnjë marzh gabimi inxhinierik.

Sistemi i teknologjisë wireless pa kabllo është zgjedhur sipas dokumentacionit në tender për shkak se ndërhyrjet me shtrirje rrjetesh kabllor do të dëmtonin strukturën dhe estetikën e brendshme. Në specifikimet teknike kërkohet që të gjitha pajisjet dhe pjesët e këmbimit të jenë të reja dhe konform standardeve të Bashkimit Europian.

Sistemi i propozuar përbëhet nga 41 detektorë adresues wireless. Detektorët multisensorë janë parashikuar në ambientet me rëndësi të veçantë operacionale dhe institucionale, si arkiva, Salla e Gjykimit apo Zyra e Kryetarit, për zbulimin e hershëm të zjarrit. Një nga kriteret e prokurimit të Gjykatës Kushtetuese lidhet edhe me trajnimin e personelit se si të veprojë në raste alarmi.

Top Channel