Në prill të vitit 1993 deri në korrik të 1996 postin e ministrit të brendshëm në Shqipëri do ta mbante Agron Musaraj. i cili ishte deputet i Beratit, me profesion arsimtar por edhe sportist i disiplinave të “rënda” si mundja.

“U fut shumë korrupsioni në polici, u shkatërrua cfarë ishte ndërtuar. Vulën ia vuri, barazimit që gjeti me zyrtarët e PD për të dhunuar zgjedhjet e majit ’96 dhe më pas zgjedhjet lokale” u shpreh Ferdinand Dervishi, gazetar.

Agron Musaraj ishte edhe ministri i zgjedhjeve të 26 majit të 1996. Në atë kohë Partia Socialiste drejtohej nga katër nënkryetarë: Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Luan Hajdaraga dhe Ilir Meta.

Prej korrikut të vitit 1993, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, kryetari legjitim i PS-së, Fatos Nano, vuante dënimin në burgun e Bënçës. Por nga “Amnesty International”, Nano ishte cilësuar si “i burgosur politik”. Një gjë e tillë e bënte Partinë Socialiste edhe më kompakte.
Në ditën e zgjedhjeve parlamentare të 26 majit 1996, duke u njoftuar për ndërhyrje të shumta dhe për arogancë, Partia Socialiste tërhoqi komisionerët e saj, pa u mbyllur procesi zgjedhor.

“Jam dhunuar në mënyrën më të qartë mundshme para institucioneve vendore më 26 maj në Berat, ditën e zgjedhjeve. Jo në protestën time kundrejt PD apo qeverisë, por në punën time si kandidat i PS në zgjedhjet e 26 Majit, i sulmuar në mes Beratit nga falanga të Ministrisë së Brendshme” u shpreh Erion Braçe, ZV.Kryeministër.

Pretendimi i Partisë Socialiste ishte se qeveria po i manipulonte dukshëm zgjedhjet, duke bërë që fitorja të peshonte nga krahu i demokratëve. Pas ditës së zgjedhjeve të 26 majit, opozita e majtë solli fakte të shumta të manipulimit, të cilat nuk u morën në konsideratë nga mazhoranca demokrate.
Raporti final i vëzhguesve të ODIHR-it ishte dërrmues: “Zgjedhjet janë komprometuar, nuk ka pasur asnjë rregull zgjedhor që nuk është shkelur”. Kështu opozita e majtë del në shesh për të protestuar. Ndërkohë policia kishte rrethuar sheshin “Skënderbej”me qëllim që të mos i linte protestuesit të manifestonin.

Fillimisht dukej se opozita nuk kishte një plan agresiv. Por irritimi e nxiti turmën, nën rrethim policor, nga të gjitha drejtimet socialistët nisën të marshonin drejt qendrës së kryeqytetit. Në rrugë dhe në sheshin qendror policia qarkullonte me autoblinda, ndërsa forcat speciale dhe punonjës të shërbimit informativ krijuan barrikada për të penguar marshimin.

Në ballë të protestës ishin 30 drejtuesit e opozitës, që udhëhiqej nga Servet Pëllumbi, Gaqo Apostoli, Neritan Ceka, Paskal Milo, Ndre Legisi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Blendi Gonxhe dhe Kastriot Islami. Ata u dhunuan barbarisht nga forcat e policisë dhe të SHIK-ut. Situata doli nga kontrolli dhe dhuna u bë e përgjakshme.

Operacioni i dhunës ndaj opozitës u drejtua nga ish-Drejtori i Policisë së asaj kohe, gjeneral Agim Shehu, me linjë direkte në presidencë, që drejtohej nga Sali Berisha. Ministri Musaraj dhe kryeministri i kohës, Aleksandër Meksi u lanë jashtë drejtimit të operacionit, pasi kishin përplasje me Presidentin e Republikës, Sali Berisha.

Top Channel