Zyrtari amerikan, deklaratë të fortë: Izraeli qëndron pas vrasjes së shkencëtarit iranian

03/12/2020 08:45

Një zyrtar amerikan ka thënë se Izraeli qëndron pas vrasjes së shkencëtarit të lartë bërthamor të Iranit.

Mohsen Fakhrizadeh u vra të premten në periferi të Teheranit.

Një zyrtar anonim nga administrata e presidentit Donald Trump ka deklaruar për CNN se autoritetet e Tel Avivit e kanë ndjekur prej kohësh shkencëtarin, por nuk ka sqaruar nëse administrata e Trumpit kishte njohuri për sulmin.

Duke folur për politikën e “presionit maksimal” të administratës Trump kundër Teheranit, zyrtari tha se Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo i është dhënë fuqia e plotë për të vazhduar fushatën dhe sanksione të tjera amerikane do të vendosen mbi Iranin këtë javë dhe javën tjetër.

Pesë shkencëtarë bërthamorë iranianë të rangut të lartë kanë qenë shënjestra e tentativave për vrasje që nga viti 2010, ndërsa Irani akuzon Izraelin.

Izraeli vuri në gjendje alarmi ambasadat dhe diplomatët e tij nga frika e ndonjë hakmarrjeje nga ana e Iranit për vrasjen e Fakhrizadeh-s.

Sulmi shkaktoi zemërim në gjithë Iranin. Një grup i madh protestuesish u mblodhën jashtë zyrës së presidentit Hassan Rouhani në Teheran të premten dhe kërkuan hakmarrje. Kjo ishte vrasja e dytë e një iraniani të profilit të lartë që nga janari, pasi një sulm ajror amerikan vrau gjeneralin Qassam Soleimani në Bagdad. Zyrtarët iranianë dyshojnë në koordinim midis Izraelit dhe SHBA-së në atë sulm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA