Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se është shëruar nga koronavirusi, dhe se është rikthyer në zyrën e saj në presidencë, për të vazhduar me angazhimet e saj.
Ajo ka qëndruar dy javë në vetizolim dhe aktivitetet i ka zhvilluar kryesisht online.
“Kam bërë thirrje gjithnjë, e tani pas ekperiences time dhe të familjes time me virusin, ju lutem sërish që të bëni kujdes të shtuar e të vazhdueshëm. Tashmë virusi është çdokund. Ne ishim me fat ta luftojmë virusin me sukses, por, fatkeqësisht, ky nuk është fati i të gjithëve”, ka shkruar në rrjetet sociale, Osmani.
Të martën pas një takimi të Komitetit për menaxhimin e situatës me pandeminë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se “situata me pandeminë në Kosovë është mjaft serioze, por nën kontroll”.
Ai ka paralajmëruar se masat aktuale do të mbesin në fuqi dhe se për festat e fundvitit do të ketë masa tjera për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Rreth dy javë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke kufizuar lëvizjen e lirë në disa komuna nga ora 19:00 e deri në 05:00 të mëngjesit.
Kryeministri tha se deri më tani janë testuar 145 mijë qytetarë, prej të cilëve 38 për qind kanë dalë pozitivë, ndërsa rreth 62 për qind janë shëruar.
Top Channel